Ahmet Isufi: Qytetarët e Gjilanit me të drejtë janë të zhgënjyer e dëshpëruar, asnjë projekt kapital serioz nuk është sjellë në Gjilan
“Jam çdo ditë në Gjilan dhe shoh zhgënjim të madh të njerëzve. Kanë besuar se kjo komunë dhe përgjithësisht Anamorava kanë për të ndryshuar pas ardhjes në pushtet të qeverisë aktuale. Kur pritjet janë të mëdha, zhgënjimi dhe dëshpërimi janë shumëfish më të mëdha. Kanë të drejtë, sinqerisht”, ka thënë Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ai u shpreh se asnjë projekt kapital serioz nuk është sjellë në Gjilan prej kohës së qeverisë Haradinaj, e cila kishte mbështetur projekte qindra milionëshe, ku më pas disa vazhduan, disa u zvarritën deri sot e kësaj dite dhe disa u ndalën.
Ahmet Isufi i cili në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit për Kuvend të Kosovës, do të jetë pjesë e garës për deputet tha se Gjilani sot ka mbetur komuna më e pazhvilluar në Kosovë si pasojë e mungesës së seriozitetit, nga pushteti aktual. Një komunë ku qeveris një parti që udhëheq edhe me shtetin ka mbetur në këtë gjendje të rëndë.
“Aleanca gjithmonë e ka pasur në fokus Gjilanin dhe Anamoravën e sidomos ndërtimin e autostradës e cila ofron lidhjen me bashkëkombasit tanë në Kosovën Lindore. Kjo pjesë e Kosovës do t’u bashkohet pjesëve tjera të zhvilluara vetëm atëherë kur Aleanca të fitojë pushtetin qendror për t’i zhvilluar komunat dhe për ta përparuar shtetin”, ka thënë Ahmet Isufi i AAK-së. /2LONLINE/
