Ahmet Isufi nisi fushatën, kërkon mbështetje për një Kosovë më të zhvilluar dhe më të fortë
Ahmet Isufi, kandidati i Aleancës, për deputet për zgjedhjet e parakoshme të 7 qershorit, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve, siç ka thënë ai: “Për të vazhduar së bashku rrugën e ndërtimit të një Kosove më të zhvilluar dhe më të fortë. Një Kosovë ku rinia nuk largohet, ku puna dhe sakrifica vlerësohen, dhe ku shteti respekton çdo qytetar pa dallim”.
“Unë besoj në Kosovën që e kemi ëndërruar ndër vite. Besoj në njerëzit tanë, në potencialin tonë dhe në të ardhmen tonë. Asnjëherë nuk është mjaftueshëm me i shërby vendit prandaj, me përulësi dhe përgjegjësi, kërkoj mbështetjen tuaj që së bashku të vazhdojmë t’i shërbejmë Kosovës me dinjitet, ndershmëri dhe përkushtim”, ka thënë tutje Isufi i Alenacës.
Deklarata e tij e plotë:
***
Edhe në këto zgjedhje të jashtëzakonshme dal para jush jo vetëm për të kërkuar besimin tuaj, por për të vazhduar një mision që ka nisur shumë vite më parë, misionin për Kosovën, për dinjitetin e saj dhe për të ardhmen e brezave tanë.
Rrugëtimi im nuk ka filluar në politikë. Ai ka filluar në kohët më të vështira për popullin tonë, kur shumë të rinj ngritën zërin për liri e barazi. Si i ri isha pjesë e protestave studentore të vitit 1981, me bindjen se Kosova meritonte liri, pavarësi dhe dinjitet. Për këtë rrugë kam paguar çmim edhe me burgosje politike, por asnjëherë nuk jam dorëzuar përballë padrejtësisë.
Kur vendi kishte nevojë për bijtë e tij, u rreshtova në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si Komandant i Zonës Operative të Karadakut dhe dolëm fitimtar.
Ishin ditë sakrifice, dhimbjeje dhe krenarie. Luftuam për të drejtën e popullit tonë për të jetuar i lirë në tokën e vet.
Pas luftës, vazhdova shërbimin ndaj Kosovës në radhët e TMK-së, e më pas në institucionet shtetërore si ministër dhe deputet në tre legjislatura të Kuvendit të Kosovës. Kam pasur nderin të jem ndër nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe ndër deputetët që votuan krijimin e Ushtrisë së Kosovës, dy momente historike që do të mbeten përgjithmonë krenaria më e madhe e jetës sime politike.
Por sot qytetarët kërkojnë më shumë se kujtime nga e kaluara. Ata kërkojnë drejtësi, zhvillim, vende pune, siguri dhe shpresë për të ardhmen. Dhe unë besoj se Kosova ka nevojë për njerëz me përvojë, integritet dhe përgjegjësi, njerëz që nuk e përdorin politikën për përfitime personale, por si shërbim ndaj qytetarit dhe shtetit.
Gjithë jetën time kam punuar me ndërgjegje të pastër. Kam qëndruar pranë qytetarëve në kohë të vështira dhe besoj se politika duhet të jetë zë i popullit, jo privilegj i pushtetarëve.
Në këto zgjedhje me kokën lart kërkoj besimin tuaj për të vazhduar së bashku rrugën e ndërtimit të një Kosove më të zhvilluar dhe më të fortë. Një Kosovë ku rinia nuk largohet, ku puna dhe sakrifica vlerësohen, dhe ku shteti respekton çdo qytetar pa dallim.
Unë besoj në Kosovën që e kemi ëndërruar ndër vite. Besoj në njerëzit tanë, në potencialin tonë dhe në të ardhmen tonë.
Asnjëherë nuk është mjaftueshëm me i shërby vendit prandaj, me përulësi dhe përgjegjësi, kërkoj mbështetjen tuaj që së bashku të vazhdojmë t’i shërbejmë Kosovës me dinjitet, ndershmëri dhe përkushtim.