Ahmet Isufi iu drejtohet familjeve të dëshmorëve e martirëve, invalidëve e veteranëve të luftës, ish të burgosurve politikë
Ahmet Isufi, kandidati i Aleancës në garën për deputet të Kuvendit të Kosovës, në zgjedhjet e parakohshme të 7 Qershorit, përmes një deklarimi publik iu është adresuar sot familjeve të dëshmorëve e martirëve, invalidëve e veteranëve të luftës, ish të burgosurve politikë.
“Ushtria, institucionet dhe aleancat tona ndërkombëtare janë rezultat i gjakut të dëshmorëve, i sakrificës së familjeve të tyre, i qëndresës së invalidëve, veteranëve dhe ish të burgosurve politikë. Janë rezultat i një populli që besoi në të drejtën e vet për të jetuar i lirë. Kjo është arsyeja pse unë nuk ju kam parë, nuk ju shoh dhe nuk ju trajtoj si kategori politike. Nuk ju kam parë kurrë nëpërmjet votës apo interesit politik. Ju jeni themeli moral i lirisë sonë dhe pjesa më e ndritur e historisë sonë moderne”, ka thënë Ahmet Isufi.
Ja fjala e tij e plotë:
Familje të dëshmorëve e martirëve, invalidë e veteranë të luftës, ish të burgosur politikë,
Rruga që kemi përshkuar së bashku nuk ka qenë e lehtë. Ka qenë një rrugë sakrifice, qëndrese dhe besimi të palëkundur në idealin e lirisë. Për dekada të tëra kemi kaluar nëpër sprova të rënda, kemi përballuar padrejtësi e vuajtje, por nuk jemi dorëzuar asnjëherë.
Ajo që na mbajti të fortë nuk ishte vetëm guximi, por uniteti ynë. Ishim bashkë në ditët më të vështira dhe pikërisht ky bashkim na solli deri këtu ku jemi sot.
Liria nuk na u fal.
Shteti nuk na erdhi si dhuratë.
Ushtria, institucionet dhe aleancat tona ndërkombëtare janë rezultat i gjakut të dëshmorëve, i sakrificës së familjeve të tyre, i qëndresës së invalidëve, veteranëve dhe ish të burgosurve politikë. Janë rezultat i një populli që besoi në të drejtën e vet për të jetuar i lirë.
Kjo është arsyeja pse unë nuk ju kam parë, nuk ju shoh dhe nuk ju trajtoj si kategori politike. Nuk ju kam parë kurrë nëpërmjet votës apo interesit politik. Ju jeni themeli moral i lirisë sonë dhe pjesa më e ndritur e historisë sonë moderne.
Çdo ditë jam pranë jush. Jo vetëm si përfaqësues politik, por si njëri nga ju. Gëzimet, shqetësimet dhe sfidat tuaja janë pjesë e jetës sime. Kjo lidhje nuk është ndërtuar në fushata zgjedhore, por në një rrugëtim të përbashkët që na ka bashkuar përjetësisht.
Sot, falë heronjve dhe dëshmorëve tanë, Kosova është e lirë. Ne kemi ndihmuar zhvillimin e pluralizmit politik, institucionet demokratike dhe shtetin funksional që pretendon të jetë i integruar në planin kombëtar e ndërkombëtar. Kjo është një nga fitoret më të mëdha të sakrificës sonë.
Mandatet politike janë të përkohshme. Ato vijnë e shkojnë. Emrat tanë mund edhe të harrohen me kalimin e kohës. Por lavdia e luftës sonë mbetet. Sakrifica e dëshmorëve mbetet. Kosova mbetet. Gjurmët që kemi lënë në historinë e kombit e atdheut do të mbeten përgjithmonë.
Megjithatë, puna jonë nuk ka përfunduar. Kemi ende sfida të mëdha përpara. Duhet ta forcojmë shtetin, ta zhvillojmë ekonominë, ta rrisim mirëqenien, ta mbrojmë dinjitetin e familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe gjithë qytetarëve të vendit tonë. Kjo është detyra jonë e përbashkët.
Si dikur, edhe sot suksesi vjen vetëm kur jemi bashkë. Kur jemi të bashkuar, nuk ka sfidë që nuk e kapërcejmë. Historia jonë e ka dëshmuar këtë dhe e ardhmja jonë do ta dëshmojë përsëri.
Me respekt, mirënjohje dhe përulësi,
I juaji dhe njëri nga ju,
Ahmet Isufi