(2LONLINE) – Këshilltari Komunal në Kuvendin e Komunës së Gjilanit nga radhët e LDK-së, Isa Agushi, është takuar sot me nënkryetarin e Llozanës, Oscar Tosato, me të cilin kanë bashkëbiseduar për mundësinë e bashkëpunimit me Komunën e Gjilanit.
Me këtë rast Agushi ka informuar nënkryetarin e Llozanës lidhur me gjendjen në të cilën është Gjilani, mundësitë e zhvillimit që ka në sektorin e Bujqësisë dhe sektor të tjerë siç është turizmi.
Ai e ka njoftuar atë edhe me pozitën gjeografike shumë të favorshme që ka Gjilani për mundësinë e investimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, pasi që është edhe qendra e mikroregjionit evropian Kosovë, Serbi Maqedoni.
Agushi ka bërë thirrje nënkryetarit Tosato, e përmes tij edhe investitorëve nga Zvicra për të investuar në Komunën e Gjilanit, sepse është një vend i mundësive të mëdha, e që investitorëve të mundshëm u ka ofruar mbështetjen e pakursyer të institucioneve lokale.
Edhe sa i përket gjendjes në të cilën është Gjilani në aspektin e infrastrukturës bazike Agushi e ka informuar njeriun e dytë nga ky kanton, që janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për të nisur punë gjithandej Komunës në përmirësimin e gjendjes për qytetarët e Gjilanit.
“Është mirë të ndërtojmë urat lidhëse të bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe arsimor, ngase një numër shumë i madh i bashkatdhetarëve tanë jetojnë dhe punojnë në Zvicër”, ka thënë Agushi. /2lonline/