/2L ONLINE/ – Isa Agushi, anëtar i Kuvendit Komunal të LDK-së në seancën e sotshme ka ngritur shqetësimet e tij për zhvillimet e fundit në kompaninë Eco-Higjiena. Ai tha se aty ka keqpërdorimi të mëdha sa që nuk e di se kush mund t’i dal kësaj pune në krye.
Agushi tha se një dreq i madh ka hyrë në Eco-Higjiena, dhe se nuk po dihet më çfarë po ndodh aty. Sipas tij, si duket disa e kanë “privatizuar” këtë kompani (pjesë e komunës 49 %) dhe se po ka telashe të mëdha tani. Po ashtu ai pati vërejtje edhe ndaj Kuvendit komunal të Gjilanit që nuk fton asnjëherë përfaqësuesit e komunës në Komisionin Komunal të Aksionarëve në këtë kompani, për të raportuar në kuvend.
Përndryshe, Agushi këtë çështje e ngriti pas replikës që pati me Riad Rashitin e PDK-së, i cili tha paraprakisht se në këtë Kompani kemi përfaqësues të komunës në Komisionin Komunal të Aksionarëve i cili ka aktakuzë. Ndaj kësaj ka reaguar Agushi i LDK-së i cili ka thënë se përfaqësuesi në fjalë e ka fituar gjykimit.
Për më tepër, ai tha se përfaqësuesi i Komunës për të cilën bëhet fjalë, e që është Muhadin Haziri, ka marrë votën e këtij Kuvendit për të qenë pjesë e Komisionit të Aksionarëve. Po ashtu ai ka fituar Gjyqin, ka vendimin në dorë për tu kthyer në vendin e tij të punës, në Kompaninë Eco-Higjiena, por për çudi, ai nuk lejohet të hyjë brenda. Agushi i adresohet edhe Gjykatës që të reagojë sepse nuk po zbatohet një vendim i saj, “Pse gjykata nuk reagon për kthimin e tij në vendin e punës kur ky institucion pikërisht për këtë edhe ka marrë vendim”, pyet i habitur Agushi.
Ai shton se kur është në pyetje kjo Kompani, gjithsesi sa më parë duhet ndërmarrë masa dhe të dihet qartë çfarë po ndodh në Eco-Higjiena. Natyrisht ai thotë se u takon të angazhohen për pjesën që ka të bëjë me komunën, pra ai 49 %, që është në përgjegjësi të komunës nga Parteriteti Publiko Privat dhe duhet ndriçuar çdo gjë.
Përndryshe, Agushi nuk u pajtua dhe nuk e vlerëson serioze as reagimin e kryetarit të komunës i cili kishte thënë se drejtori i dorëhequr i Eco-Higjienës, sa i përket tij, mund të kthehet kurdo.
Siç dihet, ditë më parë, Bajram Isufi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit ekzekutiv në “Eco – Higjiena” kompani kjo që është në partneritetin Publiko Privat në mes të kompanisë Moser Group dhe Komunës së Gjilanit.
PDK-ja kishte kritikuar kryetarin Haziri që po bënte spastrime politike, duke e ndërlidhur në këtë edhe dorëheqjen e Bajram Isufit, një kuadër i PDK-së.
“Akti i dorëheqjes së drejtorit ekzekutiv në kompaninë Eco-Higjiena, ka ardhur si pasojë e presioneve intensive që kanë buruar nga ana e kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri. Bajram Isufi njihet për suksese, të arritura, transformim dhe menaxhim të mirë të kësaj kompanie, e cila për disa vite radhazi, është vlerësuar si kompania më e mirë regjionale në Kosovë, për menaxhimin e mbeturinave dhe mirëmbajtjen e ambientit. Por të arriturat dhe zhvillimet pozitive të shqiptarëve i kanë penguar edhe pushtetit në vitet 1989/90, sikurse sot që po i pengojnë Lutfi Hazirit të arriturat dhe sukseset e kuadrove të PDK-së”, thuhej në komunikatën e PDK-së.
Por se, kryetari i komunës Lutfi Haziri, i kishte mohuar këto akuza duke thënë se dorëheqja e Bajram Isufit, nga pozita e drejtorit ekzekutiv në ‘Eco – Higjiena’, është akt personal dhe se sa i përket tij, ai mundet qysh nesër të kthehet në detyrën e tij. /2L ONLINE/