Nga: Nexhat Rexha
(Naxhije Gashani:”Nën dritën e shpirtit tim”Botoi SHB”Beqir Musliu” Gjilan, 2015,fq.65 ).
/2L ONLINE/ – Liria e fjalës krijon mundësinë e shprehjes si veçanti në shpalosjen e lirë të intimes deri në thellësi, duke i dhënë kuptimësinë botës shpirtërore, e dritësimin gjithëpërfshirës vargut poetik. Në këtë korrelacion të qenësisë nga lashtësitë ruhet, kultivohet dhe dikton vazhdimësinë magjia poetike, kjo muzë me pagjumësinë e saj vjen edhe te Naxhije Gashani, e cila është në kërkim të agut artistik e botës së brendshme të saj. Poezia e vëllimit:”Nën dritën e shpirtit tim”, ka natyrshmërinë e vargut të lidhur me elementet e përcaktuara si fate kohësh dhe njerëzish.
Në pentagramin akustik vargjet shpalosin erosin e ëndërruar për të krijuar mundësinë e kreativitetit ekzistencial të njeriut nëpër vlimet e kohëve. Poezia e këtij vëllimi poetik si strukturë ka të njëjtat orientime të ritmit ndërtimor, sepse kërkimi për netët e errëta është në ikje, si e tillë poezia krijon atmosferën e kërkimit për të bukurën e munguar. Ajo duket në qiellin e hapur, e të sinjalizon në trashëgiminë e brezave si kërkim e realizm për dashuri. Ndërtimi strukturor në tërësinë poetike të librit ka të ngjeshur koordinimin e akorduar në sistemin stilistik, duke i dhënë konturat e librit me veçantitë dalluese në gjetjen e fjalëve dhe krijimin e elementeve të reja poetike ,si perceptim e artikulim në përjetimin e valëve ndjekëse për ditët e vonuara.
Heshtja si ruajtje e kërkim i brendshëm në poezinë shqipe është e pranishme te shumë autorë, ajo ndjehet përmes subjektit krijues. Lidhja në mes botës reale dhe asaj imagjinative, preokupon autoren për të thënë atë që ndjen me analogjinë e përditshmërisë, si dhe për të arrirë efektin e dëshiruar. Në poezinë “Heshtjes”,vargu ka fuqinë e kërkimit për të dëgjuar trokun, e për të pa gjurmët e kujtimeve të kristalta. Në dy vargjet e fundit të kësaj poezie heshtja shpërndan rrezatimin e saj si kërkim e finalizim për të konkretizuar të bukurën e ndjekur edhe si pikëtakim të mallit,si në vargjet:
”Ne të dy kalorës me trokun nëpër atë pllajëmalli/ lajmë sytë strehëve të shpirtit n`gurgullimë damarësh”. Ёndrrat në shumë raste krijojnë heshtjen dhe evoluimin e shtrojnë si kërkim në zbardhjen e tyre. Përditshmëria në poezitë e Naxhijes vjen si parashtrim e kërkim për të arritur në fushën freskimit shpirtëror,ajo vjen me shkëlqimin e ditës,kur vjen shiu me diellin dhe ylberi shkrinë ngjyrat e dëshirave të ëndërruara për të prekur të bukurën e një dite të vonuar.
Liria si pritje dhe kërkim në lirikat e Naxhijes është meditim i manifestuar me përpjekjet e pandërprera të botës reale,sepse ajo nuk ka ndaluar tek asnjë brez i njerëzve tanë. Mirëpo, në realitet ajo kërkon metamorfozat artistike, të cilat e pasurojnë poezinë dhe vargut i japin fuqinë e ringjalljes përmes figuracionit të zgjedhur e funksional. Këtë element të rëndësishëm, ajo e shtron në përmasa të kapshme në mozaikun e qartë për t`i dhënë ngjyrim ligjërimit të nevojshëm, e të domosdoshëm në mbarshtrimin e tërësisë poetike, si në formë e në shtjellim. Efektshmëria arrihet përmes mendimit të ngjeshur e mesazhit funksional. Shtrirja tematike ka hapësirën e lirë të veprimit të ngjarjeve si kërkim i dhembjeve, si kërkim i dashurisë që shkrinë plagën e lirisë në identifikimin e portave të mbyllura, e të cilat autorja arrinë t`i hapë përmes pamjeve nga kaltërsitë qiellore,si element i paqes, dashurisë për agsholin në ardhje.
Personazhet poetike kanë shtrirje të përgjithësimit,si në lirinë e veprimit, poashtu, edhe në lirinë e kërkimit të saj . Realja në shumë raste ka elementin e mospajtimit me proceset e jetës dhe si e tillë ajo krijon situata të rebelimit. Në saje të zhvillimit shoqëror, e përhapjes së dukurive të shëmtuara, aurorja proteston këtë devijim të shoqërisë sonë, sepse loja në teatër kërkon:”Shpirt rebeluar për një ag/ që fshikullon pamëshirë/dritën e perënduar. Poezia e Naxhijes korrespondon me dialogimin e të mundshmes, duke ecur nëpër polet e dukshme dhe të padukshme, të cilat në mjediset e ndryshme i kanë edhe veprimet, hapërimiet sa kontraverze, po aq edhe të mundimshme ne justifikimin real të tyre. Në këto lidhje, vargjet e saja karakterizojnë të gjitha dukjet e medales – Jetë e veprim.
Poezia e saj ka gjithnjë pikësynim të shkrijë këto veprime, të cilat baraspeshojnë gjurmët e të ndodhurave, dhe në këtë funksion poezia merr trajtën konkrete të mesazhit që lidh brengën e kërkimin, duke shpalosur parafytyrimet e autores për të bukurën në fjalë, e për të mbijetuar dashuria në poezi e jetë.
Poezia e Naxhijes ka shtrirje në pasqyrimin e probleme shoqërore të mjedisit ku ajo bashkëjeton e bashkëvepron me të gjitha frymëmarrjet e saja. Ajo shpreh bukur pikëllimet, gëzimet të ndërtuara në kontinuitet kohor, me qëllim që përmes situatave të kaluara të jap krahasimin e mundshëm për të arrirë në mundësinë e mbiveprimit konkret të motivimit me manifestimin e dëshirueshëm për një agshol të përmasës së sotme.
Subjekti i poezive është lëvizës dhe ato në një mënyrë komunikojnë në mes vete, sepse aktualiteti i shtruar në brendi ka objektivin e shtjelluar me perceptimin e tematikën refleksive, duke e bërë me impresionuese këngën lirike. Shkëlqimet e jetës janë ruajtur në evokimet e saja, kohët lidhen me traditën e njerëzve te familjes dhe të atyre që arritën të mundin eklipsin e disa periudhave të rënda kombëtare.
Në poezinë”Shkëndijë stralli”, guri dhe etja sikur komunikojnë në elementin e mbijetesës dhe këto gjetje figurative janë metaforë e fuqishme në vargjet e kësaj poezie, sepse shpirti i poetes kërkon ngrohtësinë shpirtërore si medikament i nevojshëm për të ruajtur emrin në brendi. Ky emër aktualizohet përmes dashurisë në reflektimin e shkëndijave për ditët e humbura, si rezultat i krijimit të atmosferës për mallin e trazuar në endrrimet e netëve të gjata, me destinacion në pushtimin e paqes për të madhërishmen sa më estetike në art.
Vëllimi poetik:”Nën dritën e shpirtit tim”,është i ndërtuar me fuqinë e groteskut brenda vargjeve, si dhe fokusimin e autores në fjalën e pasur me kompozita të goditura bukur, të cilat e pasurojnë veprën e gjuhën standarde me fjalën e formuar në dykuptimësinë e saj.
Naxhije Gashani me në vëllimin e parë poetik ka cilësuar veprimin artistik, si përjetim e realizim të suksesshëm, duke premtuar se pena e saj nuk është e rastësishme,ajo vjen me përjetimin dhe shijen origjinale të vargut, për të pasuruar fondin e letrave shqipe me fjalën poetike.
Konceptimi i tërësishëm ka të realizuar idenë e autores në parashtrimin e vargut si kërkesë e qëllim për t`i afruar lexuesit, përjetimin dhe mesazhin për arritjen, sforcimin e agsholit të lirisë shpirtëror, e për të mundur eklipsin e kohëve. Kështu, vepra ka formësimin autentik, kurse autores i hap shtigje të mëtutjeshme për arritje te reja në magjinë e fjalës poetike./2L ONLINE/