/2L ONLINE/ – Revista letrare – kulturore e Ars Clubit “Beqir Musliu”, AGMIA nr. 18, gati gjysmën e hapësirës së saj e ka rezervuar në numrin më të ri për fituesin e sivjem të Çmimit letrar “Beqir Musliu”, shkrimtarin e njohur, Shaip Beqirin, i cili prej deceniesh jeton dhe krijon në Zvicër.
Kështu, përveç publikimit të Vendimit të Jurisë letrare, arsyetimit si dhe shënimeve mbi jetën e veprimtarinë letrare të fituesit të sivjem, botohen edhe vlerësime të ndryshme të kritikëve letrar por edhe të shkrimtarëve të shquar shqiptarë e të huaj, të cilët vlerësojnë lart poezinë e Beqirit, si Ibrahim Rugova, Xhemail Mustafa, Ramadan Musliu, Anton Nikë Berisha, Xhevahir Spahiu, Ymer Shkreli,
Hans Joachim Lanksch, Ali Podrimja, Teki Dervishi, Adolf Muschg dhe Johamna Lier.
Vlerësime për portretin letrar dhe poezinë e Shaip Beqirit paraqesin në këtë numër edhe studiuesit e shquar të letërsisë si, akademik Ali Aliu, dr. Nehas Sopaj e Ahmet Selmani.
Përpos që botohet dhe një cikël poezishs të Shaip Beqirit, lexuesve iu mundësohet ta lexojnë dhe mesazhin e autorit me rastin e dhënies së këtij Çmimi mjaft prestigjioz.
Në pjesën e dytë të revistës, nën rubrikën “Pema e Agmisë”, kësaj here publikohen krijimet e Sabit Rrustemit, Edona Halitit, Rrahim Sadikut, Linditë Ramushit Dushkut, Sinan Sadikut, Arsim Halilit, Naxhije Gashanit e Mehmetali Rexhepit.
Ndërsa me vlerësime letrare paraqiten, Ramadan Musliu, Xheladin Mjeku, Isak Eshtrefi, Nexhat Rexha e Hasan Bunjaku.
Vlen të potencohet se edhe ky numër, në shenjë të 20 vjetorit të shkuarjes në amshim të shkrimtarit të shquar shqiptar, Beqir Musliut, hapet dhe mbyllet me poezitë e tij./2L ONLINE/