/Reagim me shkas nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan në lidhje me artikullin Haram është me vjedh (në Ramazan), qoftë edhe ide!!!, të autorit Arianit SLLAMNIKU, botuar në Portalin 2L ONLINE, më 08.07.2014/
(2L ONLINE) – Gjithkund në botë Ramazani vjen me shumë mesazhe paqeje. Urojnë pjesëtarët e Islamit por edhe të tjerët, zemrat ndjejnë ngrohtësinë e afrisë me besimin që kultivon dashurin dhe respektin njerëzorë. Besoj se të gjithë në shpirt ushqejmë gatishmërinë e solidaritetit veti që e kultivon shumë institucioni i agjërimit.
Në vitet e pasluftës këto vlera janë edhe më publike dhe kontribuojnë në shumë fusha. Jemi dëshmitarë të iftareve të shumta dhe solidaritetit që përkrahet nga shumë shpirtra të devotshëm. Krahas karakterit fetar edhe sfidat e kohës na kanë mësuar e na kanë bërë më kreativ.
Siç kishte shkruar edhe Arianit Sllamniku dhe kishte bërë publike Ramazanin e viti të kaluar 2013, ai vet kishte organizuar ndeja në platonë para teatrit të qytetit, ashtu siç thoshte edhe vet të shoqëruara me qaj, ëmbëlsira e torte nën tingujt e muzikës orientale.
Ashtu edhe është ngase edhe ne shumë herë morëm pjesë në ato muhabete e ndeja pa na shkuar mendja të mendojmë diçka mbrapsht ose të paragjykojmë ndonjë element të caktuar. Nuk ka arsye për diçka të tillë. Në parim çdo iniciative të mirë duhet ti gëzohemi e ta përkrahim në mos më tepër atëherë së paku moralisht e besoj se kjo nuk ka munguar e këtë ka mundur ta ndjejë edhe vet Arianiti.
Iniciativën e tij ne nuk e kemi kuptuar si një inovacion me të drejtë licence për të cilën duhet të marrim leje nga ai që e zbuloi ngase nuk ka qenë i një natyre të tillë andaj edhe nuk kemi pasur nevojë ti drejtohemi Arianitit për të kërkuar ndonjë të drejtë të rezervuar. Për këtë as që na ka shkuar mendja se dhe nuk kemi menduar se do të zë në thua e të ndeshet me Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan e më pas të ngre zërin edhe në mjetet e informimit publik.
Arianiti është njëri prej xhematit të xhamisë me të cilin kemi kontakte normale e shpesh e takojmë në xhami apo aktivitetet tjera fetare dhe në bazë të paraqitjeve të tilla tani nuk do të duhej ta shihnim në pozitën e një kritiku e për më tepër paragjykuesi i cili përpiqet të shtyjë agjendën e tij qoftë edhe duke hedhur hije të zezë ndaj Këshillit të Bashkësisë Islame. Megjithatë ai na mori nëpër gojë e na përgojoj në mënyrë tendencioze. Po ti përmbahej kulturës Islame në të cilën thirret edhe po të gabonim ne ai do ti bënte disa hapa e të vinte në shtëpinë e vet, Këshillin e Bashkësisë Islame dhe do të ofronte sugjerimet apo të shprehte pakënaqësinë. Në të kundërtën ai ndoqi një rrugë krejt jo të përgjegjshme, së paku në aspektin Islame ngase bëri një paraqitje që të na galavitë e korit publikisht në këto ditë të nxehta Ramazani. Është e qartë se prekja e temave fetare dhe Bashkësisë Islame është shumë e pëlqyer nga disa mediumet të ndryshme të cilat hapur bëjnë propagandë njollosëse dhe dashakeqe e këtë e di edhe Arianiti andaj edhe shkrimin e tij e pritën si kulaçi kur del prej furre duke i dhënë hapësirë dhe fokusim. Në bazë të asaj që kemi biseduar shumë herë me te dhe kemi qarë halle ai nuk është dashur ta bëjë këtë shërbim. Qoftë edhe ndonjë inat personal nuk është dashur ta vendosi në këtë pozicion të lakuar përball Bashkësisë Islame.
Në asnjë rast nuk duam të hahemi apo të polemizojmë me Arianitin ngase po të kemi nevojë ne e ftojmë dhe bisedojmë me të për së afërmi por për shkak deklarimit publik dhe nevojës së qartësisë, në lidhje me atë që është thënë e shohim të udhës të sqarojmë disa gjëra.
Para Ramazanit ne në Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan kemi bërë kontakte me organet komunale që të na lejojnë për shfrytëzim hapësirën përpara teatrit krejt për çështje humanitare, ku do të kalonim netët e Ramazanit prej iftarit deri në syfyr. Më pas kemi bërë edhe kërkesë zyrtare pasi paraprakisht kemi marrë pëlqimin për mendim pozitiv.
Ne filluar përgatitjet e duhura që të jemi të gatshëm për fillimin e këtij aktiviteti dhe çdo gjë ishte në rregull. Mirëpo më vonë dolën disa pengesa të cilat pamundësuan ecjen e aksionit. Organet përgjegjëse na thanë se në këtë periudhë teatri i qytetit ka disa aktivitete, ku do të shfaqen premiera të ndryshme dhe me këtë do të viheshin në pyetje angazhimet artistike. Për më tepër na e qanë edhe hallin e gjendjes së aktorëve dhe skenës teatrale në përgjithësi të cilën edhe ashtu e njohim të gjithë. Në një situatë të tillë ne nuk e pamë të udhës që të bëhemi pengesë dhe të dëmtojmë dikë. Sa ka qenë real arsyetimi është çështje që bënë të mendohet por në një situatë të tillë, ashtu siç na u paraqit ne nuk mund të shkonim më larg se kaq. Edhe sot ne e kemi lejen për shfrytëzimin e hapësirës para teatrit por jo edhe të ambienteve të brendshme të cilat janë të domosdoshme për realizimin e projektit siç e donim ne, e ato janë kreu i punës. Pikërisht këtu qëndron arsyeja pse ne nuk mundëm të realizojmë projektin. Në anën tjetër është për ta analizuar si është e mundur që vitin e kaluar e tërë hapësira ti vihet në shërbim një individi- iniciative e këtë vit të mos na epet ne si Bashkësi Islame! Nuk di nëse këto gjëra i ka ditur Arianiti por ky është realiteti.
Në shkrimin e tij i është drejtuar kryeimamint të Këshillit por shihet haptas se tendenca ka qenë vet Këshilli i Bashkësisë Islame e këtë edhe e ka shprehur. Sidoqoftë edhe ai e di se ne veprojmë si strukturë e organizuar andaj nuk është reale që në këtë rast të polemizoj me kryeimamin duke i personalizuar gjërat, e themi qartazi dhe shumë hapur se kërkesën e ka bërë Këshilli i Bashkësisë Islame e ajo është e ruajtur dhe protokolluar.
Paragjykimet që i ka bërë rreth qindarkave “nafile” siç i quan ai le të mbeten në ndërgjegjen e tij dhe le ti shkojnë në “sevapet” e Ramazanit ne nuk do të zgjatemi në këtë. Dyshimet e shprehura në lidhje me pamundësinë e organizimit nga KBI ngase nuk ka pas asnjë saf mendojmë se nuk është aspak real. Ne kemi mundësi të bëjmë shumë punë të hajrit ngase pas Allahut si vazhdimisht edhe tani dhe në të ardhmen aktivitetet tona i realizojmë me xhematin tonë, përkrahje që nuk ka munguar asnjë herë.
E sa u përket ideve të ndryshme që mund të vinë nga ti ne jemi të hapur ashtu siç kemi qenë deri tash dhe ti e di këtë por si xhemat i xhamisë po të lutemi mos provo të rritesh në dëm të Bashkësisë Islame, mendojmë se kjo është rrugë e gabuar. Në lidhje me çështjet tjera, të natyrës personale që i ke thënë në lidhje me kryeimamin mendojmë se ka organe përgjegjëse që merren me këto punë dhe se forma e paraqitjes është paksa tendencioze. Bashkësia Islame vazhdon të jetë në shërbim të qytetarëve duke vazhduar misionin dhe përmbushur detyrat, natyrisht kemi shumë punë që duhet të bëjmë e edhe shumë të tilla që për arsye të ndryshme nuk po mund ti arrijmë por me ndihmën e Allahut pastaj me përkrahjen e besimtarëve do të përpiqemi të bëjmë shumë punë të hajrit.
Këshilli i Bashkësisë Islame – Gjilan
10.07.2014