(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka pritur sot në takim udhëheqësin e Agjencionit turk për zhvillim në Kosovë “Tika”, Eyup Yavuz Umutlu, ku është biseduar për mundësinë e investimeve në shumë fusha në Gjilan.
Kryetari Haziri e ka falënderuar z. Umultu për ndihmesën e vazhdueshme të agjencionit “Tika” për Komunën e Gjilanit.
“Falënderoj shumë agjencionin turk për zhvillim “Tika” që e ka mbështetur Gjilanin dhe Kosovën. Sa i përket Gjilanit, prezenca diplomatike, ushtarake dhe tash prezenca e agjencionit, që në emër të qeverisë turke e ndihmon Gjilanin, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ne biseduam për mbështetjen në trashëgiminë kulturore, sektorin e arsimit, shëndetësinë dhe mbi të gjitha në bujqësinë. Mund të them se gjilanasit do të ndihen shumë të lumtur për një partneritet dhe mbështetjen që e kemi gjetur te “Tika”. Shpresojmë shumë që një numër të madh të projekteve ta zbatojmë bashkërisht dhe do të kenë impakt të drejtpërdrejt në jetën tonë”, ka thënë kryetari Haziri.
Ndërkaq, udhëheqësi i “Tika-s”, Eyup Yavuz Umutlu, ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen miqësore, ndërsa ka premtuar investime në projekte të ndryshme në Gjilan, në veçanti në sektorin e bujqësisë.
“Diskutuam projektet në fusha të ndryshme dhe për një partneritet si mund ta mbështesim komunën e Gjilanit. Ne si “Tika” jemi munduar prej vitit 2004 t’i ndihmojmë vëllezërit tanë kosovarë, në këtë drejtim ne kemi realizuar mbi 300 projekte në fusha të ndryshme dhe mund të them se cdo vit e kemi një buxhet në rritje dhe numër të projekteve në rritje në Kosovë dhe në të ardhmen do të kemi projekte që do t’i realizojmë në Komunën e Gjilanit”, ka thënë z. Umutlu. /2L ONLINE/