/2L ONLINE/ – Sonte, në Galerinë e qytetit, Shoqata e arteve pamore në Gjilan, ka hapur ekspozitën “Salloni i Gjilanit” edicioni i VII. Avni Behluli, kryetar i Shoqata e arteve pamore, në hapje të saj ka thënë se konkursit për ekspozitën, me rastin festës së flamurit, i shpallur në bashkëpunim me Drejtorinë për kulturë, rini dhe sport, i janë përgjigjur numër i konsiderueshëm artistësh nga e gjithë hapësira shqiptare.
“Juria profesionale, nga ky numër artistësh të interesuar, ka përzgjedhur 27 krijues, të cilët në këtë ekspozitë paraqiten me 36 krijime temash të ndryshme dhe të cilat janë të realizuar në pikturë, grafikë, skulpturë dhe fotografi artistike”, ka pohuar Behluli duke shtuar se ekspozita, artistikisht, është për t’u vlerësuar.
Krijuesi Demir Behluli, në fjalën e tij, gjithashtu ka vlerësuar, punën e artistëve pjesëmarrës, duke shtuar se të gjithë prej tyre kanë unin e tyre krijues, i cili meriton vlerësime.
“Vepra kur ekspozohet fillon të përpunohet dhe përmirësohet. Për të hy në një pikturë nuk ekziston vetëm një derë, por sa shikues janë para saj aq dyer ka për të hyrë në brendësinë e saj dhe sa përvojë kanë ata për të çelë atë derë po me aq lehtësi hyjnë në të kuptuarit e atij krijimi artistik”, ka thënë ai, përderisa ka potencuar, gjithashtu, se çdo krijim ka mesazhin e vet.
Juria në përbërje, Avni Xh.Behluli, Rasim Vllasaliu dhe Fitim Sulejmani, për këtë edicion, me çmimin “Salloni i Gjilanit 7”, ka vlerësuar artistët Agim Kajtazi, Sylejman Prenjasi dhe Agron Kastrati. /2L ONLINE/