Ferid Agani, kryetar i Partisë së Drejtësisë (PD), i cili do të jetë edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, nga ”Koalicioni për Familjen”, ka thënë se pas tetë viteve dhe betejës së fituar gjyqësore, ka vendos që sërish të marr pjesë në garën për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Pasioni dhe përkushtimi im për të kontribuar në shtetëndërtimin e vendit vetëm se është shtuar. Jam i lumtur që Zoti i Madhërishëm ma mundësoi që t’i përballojë të gjitha sfidat e jetës së brishtë politike të Kosovës së pasluftës, që kurrsesi të del nga gjendja jostabile e tranzicionit”, thotë Agani.
Ai shprehet i bindur se “Koalicioni për Familjen”, me vendosmëri do të mbrojë familjen tonë të shenjtë e shoqërinë tonë të shëndoshë, dhe se punët e ngelura në gjysmë, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë, do t’i përfundojnë me sukses të plotë së bashku me partnerët politik në ”Koalicionin për Familje”.
“Si edhe gjithmonë, nga zemra e shpirti, lus Zotin tonë të Madhërishëm, që të na prinë me të mbara në rrugëtimin tonë fisnik për të mirën e përgjithshme, ndërkaq nga Ju të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës pres, që kësaj here, si asnjëherë më parë, në mënyrë masovike dhe pa asnjë mëdyshje, të jipni votën tuaj për bashkimin tonë politik, Koalicionin për Familje, sepse është në pyetje e ardhmja e fëmijëve tuaj dhe familjeve të tyre, e ardhmja e kombit dhe shtetit tonë”, thotë Ferid Agani, që do të jetë kandidat për deputet i këtij Koalicioni, në zgjedhjet e 9 shkurtit të 2025-tës. /2LONLINE/