/2L ONLINE/ – Ditë më parë në një spital gjinekologjik në Tiranë ndodhi një ngjarje e rëndë, në të cilën pati vdekje të dyfishtë, të një nëne shtatzënë së bashku me foshnjën e saj. Kjo ngjarje tronditi opinionin publik në Shqipëri, por akterët kryesorë të kësaj ngjarjeje, secili në mënyrën e vet, reflektoi ashtu që në publik të krijohej një perceptim i ri, dhe pak më ndryshe, apo së paku nga këtu, nga Kosova, perceptimi ishte pak më tjetër lloj.
Tre protagonistët kryesorë ishin:
-Prokuroria e shtetit dhe gjyqësia
-Gazetarët, analistët, opinioni publik
-Mjekët si personazhe dhe komuniteti i tyre, Urdhri i Mjekut
Nga ajo që pamë, dëshirojmë të tërheqim disa paralele në mes të kësaj ndodhie dhe një tjetre të ngjashme që ka ndodhur në Kosovë para gjashtë apo më tepër muajve.
Shteti shqiptar ende i pakonsoliduar mirë – si pasojë e një tranzicioni shumë të vështirë të kalimit nga ish diktatura komuniste në sistemin kapitalist e demokratik, – nën presionin e mjeteve të informimit dhe reagimit qytetar, mori një masë të shpejtë dhe jo shumë të popullarizuar, duke arrestuar dy mjekët gjinekologë dhe caktoi mbajtjen për 48 orë, deri sa më vonë gjykata mori vendimin për lirimin e mjekëve në fjalë, kthimin e tyre në vendin e punës, me urdhër për paraqitje në organet e drejtësisë kur ata do të thirreshin-ndoshta edhe nën presionin e opinionit të gjerë.
Gazetarët, opinionistët dhe analistët e ndryshëm, të gjithë thuajse njëzëri sikur në iso, drejtuan gishtin e fajitnë drejtim të sistemit të dështuar shëndetësor në vend, sistem ky i kalbur që nuk garanton as edhe një përkujdesje elementare për qytetarët e vendit. Kishte tëatillë që ishin më të ashpër në konstatime, se kjo ishte një vrasje që vinte nga sistem. Për habinë tonë, shumica e tyre, si profesionistë të vërtetë asnjëherë nuk denoncuan individin e përveçëm, apo mjekun, në krejt këtë katrahurë. U treguan shembujt më të mirë të mjekut shqiptar, i cili gjithandej nëpër Evropë bënë punë shumë të mirë mjekësore, paraqitet si qytetar i ndërgjegjshëm, profesionist i shkëlqyer, njeri me virtyte dhe dinjitet, cilësi këto që nuk mund t’i shfaq në vendin e vet. Dhe ishte debati, i cili prodhoi tashmë të njohurën – se fajin kryesor e mban politika e cila nuk arriti ta reformojë këtë sistem që po rëndon vazhdimisht jetën e qytetarit të këtij vendi. Së këndejmi,si pacientët, si mjekët, mbetën vetëm viktima të këtij sistemi të dobët shëndetësor. Nuk është zgjidhja në adresimin e kritikave drejt një mjeku të përveçëm, por në vetë sistemin shëndetësor! Pra, kritika duhet ta depersonalizon raportin me mjekët si individë, por të kapet në zbërthimin e problemeve të vetë sistemit shëndetësor!
Dhe për fund, ndoshta për nga rëndësia edhe kryesorja – sidomos për neve bijve të Aesklepiusit (hero dhe perëndi mitologjike e mjekimit në antikë) në Kosovë, ishte reagimi i kolegëve gjinekologë gjithandej në Shqipëri, në mbrojtje të integritetit profesional dhe dinjitetit njerëzor të bashkëkolegëve të tyre. Shumica prej tyre protestuan në të gjitha spitalet e vendit për burgosjen arbitrare të kolegëve të tyre. Ditën kur kolegët e tyre dolën para gjykatës, ata gjetën guximin intelektual dhe qytetar të dalin dhe të protestojnë para gjykatës në mbështetje të bashkëkolegëve të tyre,të një kauze të drejtë, që tashmë mungon tek ne, e jo për të ndërhyrë në punët e drejtësisë.
Urdhri i Mjekut -ekuivalent me Odën e Mjekëve tek ne,u prononcua fuqishëm në mbrojtje të kolegëve të tyre, me një deklaratë shumë parimore e të zëshme, të argumentuar dhe të ilustruar mirë për rastin në fjalë. Të gjithë së bashku shprehnin ngushëllimin për rastin në fjalë, ngase ishin humbur dy jetë njerëzish, por të gjithë drejtonin gishtin e fajit drejt politikës, qeverisë, sistemit, sistem ky që e bëri mjekun viktimë dhe e barazoi me të pabarazueshmin.
Dhe nga tërë kjo qe u tha,pyesim po ku jemi ne?! Po çfarë ndodhi në Kosovë? Çfarë ishte veprimi organeve të drejtësisë, prokurorisë dhe gjykatës? Cili ishte refleksioni i gazetarëve, analistëve, etj.,përkitazi me këtë ngjarje? Dhe në fund, cili ishte reagimi i kolegëve gjinekologë apo i mjekëve në përgjithësi,këtu në Kosovë, lidhur me ngjarjen që paraqitëm më lartë.
Fillimisht, prokuroria dërgoi në mbajtje për 48 orë tri koleget tona, të përfshira në rast, e mëpastaj gjykata i shqipton masën me paraburgim shtëpiak për 30 ditë, masë kjo që nuk u mor në Tiranë.
E dyta, reagimi i gazetarëve tanë, por edhe disa të tjerëve, ishte shumë denigrues në drejtim të rolit të mjekut dhe pozitës së tij në shoqëri. I gjithë faji drejtohej në individin e përveçëm, në mjekun si akter dhe përgjegjësitë e tij vendimtare. Ashtu me dashje apo pa dashje, me dije apo pa dije, për shkaqe te interesave të llojllojshme, shumica prej tyre viheshin në njëfarë mënyre, në mbrojtje të një sistemi shëndetësor shumë të degraduar. Ata lozën rolin e “avokatit të djallit”, duke krijuar percepcion shumë të gabuar në opinionin e gjerë se ishin mjekët ata që duhej fajësuar për një tragjedi të tillë. Ashtu siç shkruan dr.Prifiti: “Gjuajtja e shtrigave veçse kishte filluar qysh më herët”. Nuk është arritur ende në Kosovë, që gjërat nuk duhet shikuar vetëm nga një perspektivë, si ajo e pacientit, por edhe nga dekonstruktimi shumë i dëmshëm i figurës së mjekut në përgjithësi.
Dhe e treta, për kah renditja që bëmë, por ndoshta më e rëndësishmja ishte reagimi i komunitetit mjekësor në lidhje me këtë ngjarje. Përveç një tërheqje vërejtjeje prej 30 minutash në Spitalin e Përgjithshëmtë Gjilanit, ku kishte ndodhur ngjarja, nuk pati asnjë reagim, askund tjetër në Kosovë, thua se mjekët nga të gjitha spitalet e Kosovës, nuk duhej solidarizuar me njëri-tjetrin pavarësisht komunës ku veprojnë. Nuk po themi për të mbrojtur papërgjegjësinë e askujt, por të ishin tok si komunitet mjekësh për të adresuar problemet në mënyrën më të duhur dhe duke mbrojtur gjithmonë autoritetin e mjekut, pa e personalizuar kritikën drejt një emri apo mbiemri të përveçëm.
Oda e Mjekëve ishte thuajse inekzistente dhe nuk ishte prononcuar fare, ndërsa Shoqata e Gjinekologëve të Kosovës i “futi veshët në lesh” dhe e la situatën të rrjedhë pa as edhe një vlerësim apo komunikatë reaguese profesionale.
Dhe ashtu, siç pyeste dikur Volteri, pyesim edhe ne sot: Kush jemi? Kah po shkojmë?Çfarë duhet bërë?
Një ngjarje e ngjashme ndodhi muaj më parë edhe në një shtet fqinj të Kosovës, dhe organet e atij shteti tashmë të konsoliduar, krejt problematiken e drejtuan në bordin etiko-profesional, ashtu sikurse bëhet gjithkund në botën e zhvilluar dhe me kaq, tregimi përfundon këtu. Kosova, si shumica e vendeve të rajonit, ka aspiratat për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, prandaj duhet kërkuar standardet edhe në mënyrën se si i qasemi problemeve dhe sfidave në sistemin shëndetësor.
Pyes veten dhe të tjerët se si është e mundur që në dy shtete të ndryshme, si Kosova e Shqipëria, të kemi qasje aq të dallueshme për të njëjtin problem apo ngjarje në sistemin shëndetësor. Dikush ndoshta mund të më sugjeron: “Mos u habit, në Shqipëri mjekët e kanë shtetin e tyre!” Po Kosova, e kujt është?! Nëse nuk është e mjekut, inxhinierit, juristit, ekonomistit, shkrimtarit, filozofit… Hmm, e kujt pra?! /2L ONLINE/
Autori është Internist-kardiolog