Adem Demaçi ideologu i shtetformimit dhe idesë së Bashkimit Kombëtar
Shkruan: Izmi Zeka
/2L ONLINE/ – Madhësia dhe madhështia e një kombi nuk është e drejtë të matet me numrin që ka. Shpeshëherë, nëpër gjithë historinë, ndeshim kombe e popuj të vegjël për nga numri, por që lavdia e tyre u i ka mbijetuar kohës. Në mesin e këtyre kombeve të vegjël për nga numri, është edhe kombi shqiptar. Një komb i lashtë, aq i lashtë sa nuk e gjejnë as historianët lashtësinë e tij, një komb i vuajtur, një komb që u gjend mes valëve të mëdha të pushtimeve të njëpasnjëshme, por një komb që u mbijetoi të gjitha këtyre dhe vazhdon të ecë përpara, ballëlartë…
Dhe kjo ecje e lavdishme e kombit tonë nëpër gjithë historinë, u bë falë shpirtit liridashës të tij, por edhe falë heronjëve të dalë nga ky komb, të cilët dijtën dhe guxuan që të dalin në ballë të kombit, të bëhen mburojë e gjallë dhe udhërrëfyes të tij.
Mes burrave të mëdhenj të kombit tonë, pas asnjë dilemë, zë vend edhe heroi ynë i gjallë, udhërrëfyesi i gjithë shqiptarëve kudo që ata janë, Adem Demaçi.
Adem Demaçi u lind më 26. 02. 1936. U rrit në rrethana tejet të vështira, ashtu si jetonin gati gjithë shqipatërt e asaj kohe, në trojet e robëruara e me shpresa të venitura. Pas okupimit italian më 1941, kur u hapën shkollat shqipe, më 1942 Adem Demaçi regjistrohet në shkollë. Qysh nga ditët e hershme shkollore, Adem Demaçi, nuk heshtë asnjëherë për padrejtësitë që i bëhen popullit tonë.
Ndër shqiptarët e atyre viteve, në Kosovë, emri i Adem Demaçit fillon të bëhet i njohur edhe me romanin “Gjarprinjt e gjakut”, të cilin e botoi në dy vazhdime në pranverën e vitit 1958, në revistën letrare „Jeta e re“. Por, përkudnër suksesit të tij në letërsi, të qenit vetëm shkrimtar, nuk i mjafton Adem Demaçit të madh. Ai vetes i ka caktuar një detyrë shumë më të madhe… Ai ndezë zjarrin e fashitur në zemrat e popullit të vet. Ai flet, thërret, bënë kushtrim për lirinë… Dhe në ato rrethana të errëta të popullit tonë, nuk mund të ndodhte ndryshe. Më 19. 11. 1958, në Prishtinë, “në emër të popullit” Adem Demaçi u arrestua dhe pas disa muajsh në hetuesi, u nxuar para Gjyqit të Qarkut nën akuzën se ka bërë delikt politik, i inkriminuar si “propagandë armiqësore”. Dhe këtu fillon goditja e madhe e Adem Demaçit. Para gjyqit, shfaqet Adem Demaçi i madh. Asnjë shenjë nënshtrimi as pendimi. Ai as nuk mbrohet, por flet hapur “nëse duam të mos derdhet gjaku dhe të ruhet paqja, Kosova duhet urgjentisht të shkëputet nga pushtimi jugosllav dhe të bashkohet me nënën e vet – Shqipërinë!”
Dhe pas burgut të parë, ky del edhe më i fortë, edhe më i bindur. Prapë vazhdon aktivitetin e tij atdhetar. Ky iu rrek punës tepër të vështirë për formimin e “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”. Pas aktiviteteve atdhetare, vjen burgu i dytë, pastaj i treti… Gati 29 vjet burg.
Në ecjen drejt lirisë së Kosovës emri i Adem Demaçit ishte themel dhe do të mbetet përjetësisht lapidary kushtrimi, guximi dhe qëndrese. Me emrin e tij do të fillojnë demonstratat e lavdishme më 1968, do të vazhdojnë tutje në ’81-shin e lavdishëm e tutje. Vet emri i Adem Demaçit, ka mbajtur gjallë shpresën tek populli i robëruar. Nuk jemi vetëm, e kemi Adem Demaçin.
Përfundimisht më 21 prill 1990, Adem Demaçi u lirua nga burgu. Një vit më pas, pra më 1991 Parlamenti Evropian e shpërblen me çmimin “Saharov”. Një mirënjohje evropiane për sakrificën, guximin dhe patriotizmin e tij.
Vitet e ’90-ta, për Kosovën, nuk janë hiq më të mira se ato të kaluarat. Krijesa e quajtur Jugosllavi, fillon të shkatërrohet. Fillojnë luftërat në Kroaci, e më pas në Bosnje. Kosova e robëruar ende nuk është e gatshme për luftë. Adem Demaçi, me fillimin e pluralizmit edhe në Kosovë, nuk i bashkohet asnjë partie politike. Ai i takon gjithë popullit. Me fillimin e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçi nuk mund të mos ishte aty. Ai emërohet përfaqësues politik i UÇK-së. Dhe, ashtu siq nuk ka ikur e as fshehur asnjëher, nuk fshihet as tani. Zyra e tij është në Prishtinë dhe zëri i tij është i qartë “nëse Serbia do të mirret vesh me fjalë, ja ku jam unë në Prishtinë. E nëse nuk merr vesh me fjalë, ja ku janë djemtë në male”…
I pathyeshëm si gjithëherë, në ballë të të gjitha proceseve Adem Demaçi, mbetet në fronin e burrave të mëdhenjë kë kombit tonë, por edhe të njerëzimit sepse, ky kurrë nuk e deshi lirinë vetëm për popullin e tij, por për gjithë njerëzimin.
Çkado që thuhet për Adem Demaçin është pak. Për të do të flas historia. Por, në këtë ditëlindje të tij, skemi se si mos të themi: lum na që të kemi Adem Demaçi ! /2L ONLINE/
