Adea, krenare që lindi në vitin e pavarësisë

Adea, krenare që lindi në vitin e pavarësisë

Gjilani sot ishte më i veçantë se ditëve tjera, pasi gumëzhinte nga zëri i hareshëm i filloristëve, të cilët kishin vërshuar qytetin, me hapat e tyre të vegjël por të shpejtë.

Mbi 700 të tillë, veshur me ngjyra kaltër e verdhë, simbolikë e ngjyrave të flamurit tonë shtetëror, po bëheshin pjesë e një gare interesante. Që të gjithë këta filloristë i bashkonte fakti që ishin të lindur në vitin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Ata po bëheshin gati, t’ia nisnin një gare karakteristike, me të cilën shënohej “Dita Olimpike”, garë kjo e organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, Drejtoria e Arsimit e Komunës së Gjilanit dhe Komitetit Olimpik të Kosovës,

Emocione të shumta kishin të gjithë filloristët. Fati i tyre lidhej me vitin e lindjes, vitin 2008, kur ata erdhën në jetë, vit ky kur u jetësua edhe ëndrra e gjithë shqiptarëve për një shtet të pavarur. Në mesin e këtyre filloristëve të entuziazmuar ishte edhe një vajzë nga Zhegra e Gjilanit. e cila me padurim kishte pritur ditën e sotme për të ardhur e bërë pjesë e kësaj gare.

Me buzëqeshje në fytyrë tregoi se quhet Adea Zymberi, se është nxënëse e klasës së tretë, paralelja e parë në Shkollën Fillore “Agim Ramadani” në Zhegër dhe meqë e do shumë sportin e në këtë rast edhe vrapimin, kishte vendosur që të bëhej pjesë e kësaj gare si një fëmijë i vitit të pavarësisë.

Adea e do sportin, e kur jemi te futbolli, si përkrahëse e flaktë e Barcelonës, e adhuron Messi-n e në zemrën e saj, natyrisht e mban edhe krenarinë e kombit, xhudistin Majlinda Kelmendin, që me rezultate kulminante na ka bërë krenarë të gjithëve.

Por, krahas dashurisë për futbollin, basketbollin, hendbollin…, ajo ka dëshirë të ushtrojë shumë në atletikë, në vrapim dhe në disiplina tjera. Kjo bëri që në vrapimin e sotëm, Adea të regjistrojë një rezultat pozitiv, duke dalë madje e dyta në këtë garë me bashkëmoshataret e saja, për të dëshmuar kështu që krahas shembullit si nxënëse shembullore, në mësime e sjellje, me këtë rezultat sportiv, u tregua edhe një sportiste e shkëlqyer.

Në këtë garë vrapimi, të këtyre filloristëve, të lindur në vitin e pavarësisë, morën pjesë më se 700 fëmijë, nga të gjitha shkollat fillore të komunës së Gjilanit, e ku fëmijëve që zunë, vendin e parë, të dytë dhe të tretë, iu dhanë medalje simbolike dhe diploma për pjesëmarrje.

Përndryshe, kur jemi te një pasion tjetër i Adea-s, ajo tregon se i pëlqen muzika, këngëtaret si: Era Istrefi, Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha… Po ashtu, i pëlqen të vallëzojë, dëshiron të jetë në ndonjë grup vallëzimi, pse jo edhe në ato të vallëzimit modern, porse nuk mungojnë as ëndrrat tjera fëmijërore, që ku i dihet, ndonjërën prej ëndrrave do ta gjejë të realizuar edhe në profesion.

 

KOMENTE