Abrashi: Strategji të re rrugore, për siguri në rrugë dhe për të shpëtuar jetë

Abrashi: Strategji të re rrugore, për siguri në rrugë dhe për të shpëtuar jetë

Ministria e Infrastrukturës, ka publikuar raportin “Dekada e sigurisë rrugore 2010-2019”, ku janë publikuar të dhënat për gjatë këtyre viteve të aksidenteve në komunikacion.

Ministri Abrashi tha se aksidentet në komunikacion rrugor paraqiten si problem multidiciplinar, rrjedhimisht, edhe përballja me këtë problem kërkon angazhimin e të gjithëve dhe vetëm në këtë mënyrë mund të kemi sukses në uljen e aksidenteve.

Ai gjithashtu përmendi edhe hapat të cilët planifikohet të ndërmerren në dobi të përmirësimit të sigurisë rrugore.

“Shpejt do të bëjmë rishikimin e strategjisë rrugore 2016-2020, apo draftimin e strategjisë së re. Do të nisim me zbatimin e planit të grupit punues për t’i identifikuar akset rrugore më të rrezikshme, sidomos atyre me fatalitet dhe do të fillojmë me kampanjë vetëdijesuese. Më shumë siguri në rrugë, më shumë jetë të shpëtuara”, tha ministri Abrashi.

Ministri theksoi se do ta ketë në prioritet shpëtimin e jetëve në komunikacion, duke bashkëpunuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu tha se ngritja e sigurisë ka avancuar nga viti në vit por çdo herë duke marr parasysh faktin se siguria në rrugë asnjëherë nuk është e mjaftueshme. “Siguria në rrugë ende kërkon vëmendje të institucioneve tona”, tha ministri Veliu.

Edhe drejtori i Policisë Rashit Qalaj prezantoi masat që janë marr në komunikacion, duke theksuar se janë duke punuar për t’i ndërgjegjësuar pjesëmarrësit në komunikacion. Ai tha se Policia e Kosovës ka bashkëpunim të mirë me Ministrinë e Infrastrukturës, që do të ngritin kapacitetet për eliminimin e rreziqeve në komunikacion.

“Dekada e sigurisë rrugore 2010-2019” përpiluar nga Këshilli Koordinues i Sigurisë Rrugore në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, paraqet statistikat e numrit të aksidenteve të ndara sipas llojeve dhe viteve dhe aktivitetet kryesore për siguri në rrugë.

Ndërkaq “Gjendja e sigurisë në trafikun rrugor” prezantuar nga Policia e Kosovës, pasqyroi në detaje gjendjen aktuale të sigurisë në trafikun rrugor, si dhe planet dhe strategjitë efektive të cilat kontribuojnë në uljen e numrit të aksidenteve në trafik.​

KOMENTE