Riza Abdyli, shef i Grupit të Këshilltarëve të Kuvendit Komunal nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e ka kritikuar raportin e punës njëvjeçare të Lutfi Hazirit, kryetarit të komunës së Gjilanit (për periudhën Janar-Dhjetor 2017), duke thënë se ai është i mangët, nuk ka të dhëna e sqarime të bollshme dhe se e mira e këtij raporti, sipas tij, është vetëm aspekti teknik.
Abdyli tha se përgëzon kryetarin e komunës dhe Kuvendin komunal për një dizajn të mirë të këtij raporti, pasi teknikisht është i punuar shumë mirë, por se brendësia është e thatë, pa përmbajtje e pa sqarime të bollshme.
Duke thënë se me këtë raport, kryetari i komunës ka bërë një mashtrim optik, si të kuvendarëve po ashtu dhe të qytetarëve, Abdyli ka kërkuar nga kreu i komunës që herët të tjera të jetë më i përgjegjshëm në hartimin e raportin e punës njëvjeçare, në aspektin përmbajtjesor.