Abdyli: Qeverisja e Lut Hazirit po hyn në muajin e tetë të vetkonsumimit e nuk po arrin të konsolidohet

Abdyli: Qeverisja e Lut Hazirit po hyn në muajin e tetë të vetkonsumimit e nuk po arrin të konsolidohet

Riza Abdyli, shef i Grupit të Anëtarëve të Kuvendit Komunal të Gjilanit, nga radhët e PDK-së, ka adresuar një varg kritikash në adresë të Kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit. Duke e kritikuar që nuk po mund as ta krijojë ekipin e drejtorëve, Lut Haziri, siç e quan ai, po e mbanë pezull Gjilani dhe qytetarët duke i futur në depresion të pritjes dhe se, me këtë, ai është veçse një ngulfatës i demokracisë.

“E çuditshme që pas një mandati qeverisje, thënë me gjuhën e vozitjes, Luta s’po mundet tani me e shti në të dytën. Zakonisht, kur ka probleme, vetura mund të startojë me të shtyme. Ky s’po do as me shty. Po pret mos po i dhez vetë”, shprehet për 2LONLINE, Abdyli i PDK-së.

Ai shton se një qeverisje komunale e dalë nga zgjedhjet ka mandatin katërvjeçar. Qeverisja e Lut Hazirit, po hyn në muajin e tetë të vetë-konsumimit, e nuk po arrin të konsolidohet. Abdyli thotë se me një matematikë të thjeshtë, 4 vite qeverisje bëjnë 48 muaj, dhe 8 muaj të kaluar i bie të jenë fiks 1/6 e kohës së qeverisjes, e shpenzuar kjo pa filluar të qeveriset.

“Tetë muaj mbahen pezull qytetarët duke ua shtuar depresionin e pritjes. Lut Haziri, ka akuzuar të tjerët për futjen e Gjilanit në depresion. Për këta tetë muaj, të vetë-konsumimit qeverisës e bëjnë Lut Hazirin ngulfatës të demokracisë”, thotë Abdyli.

Ai përmendi problemet në arsim, shëndetësi, në ligjshmërinë e ndërtimeve, degradimin e ambientit dhe problemet e pandalshme me higjienën. “Mos të harrojmë problemet me klubet sportive, me shoqata të ndryshme e me teatër. Kur jemi te teatri, na ka shkuar mendja se komuna e sheh atë si konkurrent. Pasi, kjo qeverisje vetë po i bënë, komedi e drama”, thotë tutje, Abdyli i PDK-së.

Ai shton se duhet kujtuar që aktivitetet kulturore, për të cilat ka nevojë qytetari i Gjilanit, nuk mund të mbulohen apo zëvendësohen me aktivitetet politike e elektorale të partive politike, as të fushatave të partisë në pushtet. “Se kështu, sipas logjikës, për gjilanasit, teatër quhet salla e tubimeve politike. Për ne, drejtues të dobët, aktorë të dobët, ekip i dobët që nuk mund të na çojë askund. Sipas përrallës së vjetër, mbesim me shpresë se Lut Haziri do ta bëjnë qeverisjen në ndonjë të marte, në mos në këtë, në tjetrën!”, thotë Riza Abdyli, shef i Grupit të Anëtarëve të Kuvendit Komunal të Gjilanit, nga radhët e PDK-së.

KOMENTE