DYLON

Abdixhiku: Me Arbërin, Gjilani do të ketë një kryetar që shërben, jo që sundon!

Abdixhiku: Me Arbërin, Gjilani do të ketë një kryetar që shërben, jo që sundon!
Avatar photo Redaksia

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka qëndruar në Gjilan ku bashkë me Lutfi Hazirin, kreun e LDK-së së Gjilanit, kanë prezantuar kandidatin e LDK-së për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajlin, për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor.

Derisa Abdixhiku ka thënë se me Arbërin, Gjilani do të ketë një kryetar që shërben, jo që sundon, nga ana e tij Haziri ka shtuar se Arbëri është besë dhe shpresë për Gjilanin, për qytetarin për familjen gjilanase, për qytetin e fshatin, transmeton Portali 2LONLINE.com.

EkoHigjiena

“Arbëri është biri i këtij qyteti. Është rritur në rrugët e këtij vendi. I njeh hallet e secilës lagje, e ndjen shpirtin e secilit fshat, e njeh ndjeshmërinë e këtij populli. Nuk është prodhim zyre. Nuk është emër i importuar nga rrjetet sociale. Është i yni. Është i juaji. Është i Gjilanit”, ka thënë Lumir Abdixhiku.

Ai shtoi se Arbër Ismajli nuk vjen me fjalë të mëdha, por me plane konkrete. Nuk vjen me moralizime, por me angazhime. Nuk vjen për t’ju treguar qytetarëve se çfarë të mendojnë – por për të dëgjuar, bashkëpunuar dhe zgjidhur problemet me të cilat ballafaqohen.

“Me Arbërin, Gjilani do të ketë një kryetar që shërben – jo që sundon. Një kryetar që respekton – jo që përçmon. Një kryetar që ndërton – jo që arsyeton. Kjo është filozofia jonë. Qyteti nuk është pronë e askujt. Është besim i përbashkët. Është përgjegjësi e përditshme. Dhe ky besim nuk falet. Meritohet”, ka thënë tutje, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Sipas tij, më 12 tetor, Gjilani ka një mundësi të artë për ta ndalur rënien. Për ta ndalur arrogancën. Për ta ndalur improvizimin. Ka mundësinë ta zgjedhë punën përpara fjalës. Zgjuarsinë përpara propagandës. Thjeshtësinë përpara mendjemadhësisë.

“Dhe këtë mundësi e ka në duar. E ka në zemër. E ka në votë. E ka me Arbër R. Ismajli”, ka përfunduar fjalën e tij, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ndërsa, Lutfi Haziri, i pari i LDK-së në Gjilan, njeherësh nënkryetar në nivel qëndror i këtij subjekti dhe deputet, duke i ofruar mbështetje ka thënë se pikërisht në lagjen e rezistencës “Dardania”,  është nata e kthesës për fitoren e madhe për Gjilanin në krye me Arbër Ismajlin.

“Bashkë me liderin e LDK-së dhe mikun tim, Lumir Abdixhiku, me veprimtarë e themelues, të rinj e të reja e gra e burra, sonte realizuam takimin e parë të bashkëbisedemit, për ta prezantuar edhe zyrtarisht Arbërin, i cili është besë dhe shpresë për Gjilanin, për qytetarin për familjen gjilanase, për qytetin e fshatin”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, tani më kanë filluar të numërojnë ditët kur Gjilanit do t’i kthehet nami i një kryeqendre politike, ekonomike, të arsimit, sportit, kulturës e sigurisë. 

“Bashkë e unik, për fitoren e madhe të Arbërit e LDK-së më 12 tetor. Faleminderit për krejt dashninë”, ka thënë  i pari LDK-së së Gjilanit.

Para të pranishmëve, Arbër Ismajli ka prezantuar vizionin e tij, për rrugën e re, siç ka thënë ai, që do ta ndërtojnë bashkë me qytetarin. /2LONLINE/