/2L ONLINE/ – Sahit Abazi, shefi Grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka bërë të ditur se në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilani ka ngritur një sërë çështjesh me rëndësi për Gjilanin dhe qytetarët e saj, duke parashtruar kërkesa të shumta por se, sipas tij, ky pushtet është i shurdhët, kur janë në pyetje kërkesat që vijnë nga tabori opozitar, edhe nëse ato janë në interes të komunës dhe qytetarëve.
Abazi ka bërë të ditur për Portalin 2L ONLINE, se kërkesë konkrete e PDK-së ishte që bashkë me Hanife Malajn (bashkëshortja e heroit të kombit Rexhep Malaj) të shpallet qytetar nderi i Gjilanit edhe Rexhep Berisha (babai i heroit të kombit Nuhi Berishës). “E veçanta e tyre është se dy familjet pandashëm kanë punuar për idealin e heronjve dhe janë simbol i pandashëm i rezistencës kundër armikut. Gjithashtu ne si shoqëri duhet të punojmë përtej simbolikave duke realizuar ideali e heronjve tonë”, ka thënë Abazi i PDK-së, per te shtuar se ka kërkuar të mirëmbahen bustet dhe sheshet e heronjve e jo të lihen në këtë gjendje siç janë pa përkujdesje. Kjo kërkesë u aprovua nga të gjitha grupet politike në Kuvend, sqaron Abazi.
Ai tha se ka kërkuar nga kryetari i komunës të jap sqarime për etiketimin e PDK-së në lidhje me aktin e vandalizmit në veturat e komunës, dhe kërkim faljen ndaj PDK-së pasi që ka folur në afekt dhe s’ka arritur të argumentojë asgjë. Por, mungesa e kryetarit në seancë bëri të veten dhe nuk pat përgjigje.
Abazi ka thënë edhe se ka kërkuar po ashtu që në seancë të raportohet edhe për ndërtimet e egra e pa leje qe po lulëzojnë ne komunën e Gjilanit, kërkesë kjo e përsëritur disa herë deri më tani, por kjo qeverisje nuk po ka vullnet ta trajtojë asnjëherë.
“Kërkova raportim për gjendjen e mjerë në Lumin Mirusha por që nuk pati gatishmëri për ta trajtuar sepse edhe për këtë vit komuna ka paraparë vetëm 150 000 euro që i bije se do të na duhen dekada për ta rregulluar, ani pse qytetarët po jetojnë me kundërmim prej vitesh”, ka thënë tutje Abazi i PDK-së.
Ai po ashtu tha se ndër tjerash, ka kërkuar edhe strategjinë për punësim nga komuna por, siç thotë Abazi, edhe pas dy vitesh kjo qeverisje nuk merr mundin te punoj ani pse punësimi i gjeneratës së re ishte top premtim i tyre. /2L ONLINE/