(2LONLINE) – Dorëheqja fillimisht e Qemajl Mustafës nga pozita e nënkryetarit të Degës së PDK-së dhe anëtarit të kryesisë dhe e Izmi Zekës nga pozita e kryetarit të Degës së PDK-së së Gjilanit, është mirëpritur nga anëtarë të tjerë të kryesisë dhe njëri ndër ta, Sahit Abazi i ka thënë Portalit Informativ 2LONLINE, se me këto veprime hoqën qafe problemin që kishte bllokuar PDK-në që prej zgjedhjeve lokale e këndej dhe se tani PDK e Gjilanit ka marr rrugë drejt zhbllokimit dhe i ka hapur mundësi vetes për tu kthyer në forcën kryesore politike në këtë komunë dhe edhe për fitore në zgjedhjet nacionale që pritet të mbahen këtë vit.
Abazi ka thënë se Qemajl Mustafa edhe Izmi Zeka kanë qenë pengesë për zhvillimin normal të degës së PDK-së dhe për nevojën e reflektimit pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e fundit lokale, pasi ishin përgjegjësit kryesor të humbjes së pushtetit që kishte PDK.
“Bile shikuar në aspektin më analizues, PDK ja ndonëse i humbi zgjedhjet nuk kishte humbur asgjë krahasuar me humbjet që i kishte nga mos konsolidimi i saj i deritanishëm, por jam i sigurt se mobilizimi jonë tani, do ta kthej PDK-në në subjektin më të madh e më të fuqishëm në Gjilan, sepse aktivistë të PDK-së, kanë pritur, kanë duruar, deri te kjo zgjidhje, duke pas tani një personalitet konsensual, siç është Sami Hoxha, i caktuar koordinator i Degës së PDK-së dhe shef i shtabit zgjedhor”, ka thënë Sahit Abazi.
Sipas tij, Hoxha do ta ketë tani përkrahjen e të gjitha strukturave të partisë për këtë betejë të rikthimit të PDK-së në të qenit fuqia e parë politike në Gjilan.
Po ashtu sipas Abazit, ky konsolidim që do të bëhet shpejtë në Degën e PDK-së në Gjilan, do ta qoj këtë subjekt drejt fitoreve të mëdha dhe se rezultati pozitiv do të shihet qysh në zgjedhjet nacionale, ku PDK do të ketë kandidatë reprezentativë me plan të qartë për Anën e Moravës për ta kthyer në epiqendër të zhvillimeve pozitive, kulturore, ekonomike, shkencore…
Përndryshe, Ekipi Koordinues me Sami Hoxhën në krye, mësohet se do të jetë në veprim deri pas zgjedhjeve nacionale, e me t’u kryer ato, do të ketë pastaj zgjidhje të situatës në PDK-në e Gjilanit, kur janë në pyetje strukturat udhëheqëse duke përfshirë këtu edhe të parin e Degës. /2lonline/