“Abaz Ajeti” së shpejti do të bëhet me ordinancë stomatologjike

Xhemajl Salihu drejtor i Drejtorisë Komunale për Shëndetësi ka thënë për Portalin e Lajmeve Lokale “2lonline”, se shëndeti i popullatës në përgjithësi dhe i fëmijëve dhe nxënësve në veçanti është preokupim dhe prioritet i kësaj drejtorie andaj ajo tani më është duke hulumtuar mundësitë e ofrimit të shërbimeve stomatologjike përbrenda shkollave.

Me këtë rast, Salihu i cili shoqërohej edhe nga Salihe Mustafa drejtoreshë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Gjilan dhe Bujar Nevzati, Drejtor i arsimit (DKA) i bënë një vizitë, shkollës fillore”Abaz Ajeti”, pikërisht për të parë një mundësi të tillë të hapjes të një ordinace stomatologjike përbrenda kësaj shkolle.

Xhelall Salihu tha se hapja e një ordinance të tillë në këtë shkollë do të kishte rëndësinë e saj të madhe për nxënësit dhe personelin e kësaj shkolle, për faktin se në lagjjen “Arbëria”, ku ndodhet kjo shkollë, mungojnë ordinancat stomatologjike.

“Mu për faktin që në lagjen “Arbëria”, nuk ka ordinancë stomatologjike, e kemi pa të arsyeshme që në këtë shkollë të hapim një ordinancë të tillë, për nxënësit e kësaj shkolle por edhe për nxënësit e shkollës që ndodhet në lagjen e afërt, “Zabeli i Sahit Agës”.

Në anën tjetër, Salihe Mustafa drejtoreshë e QKMF-së, ka bërë të ditur për Portalin e Lajmeve Lokale “2lonline”, se tashmë është porositur aparatura e nevojshme për një ordinancë të tillë shkollore, dhe po ashtu sipas saj, kjo qendër ka kuadro të mjaftueshme dhe profesionale për ofrimin e shërbimeve mjekësore për afro 2 mijë e 200 nxënës të këtyre dy shkollave fillore të qytetit.

Përndryshe, përfaqësues të institucioneve shëndetësore të komunës, thanë se është duke u hulumtuar edhe mundësia e hapjes të një ordinance të tillë edhe në shkollën e re në “Lagjen e tetë”, ku nuk ka asnjë punkt shëndetësor, pasi një ordinarë e tillë do të ishte e mirëseardhur për nxënësit e asaj shkolle.

Përndryshe, përveç idesë që shkollat e fillore të Gjilanit të bëhen me ordinanca stomatologjike, synohet realizimi edhe i projekteve të tjera për shkollat e Gjilanit që ato ta kenë edhe mjekun e përgjithshëm, i cili po ashtu do të jetë në shërbim të shkollarëve me qëllim që përkujdesja shëndetësor ndaj tyre të jetë në nivelin sa më të lartë, për të pasur kështu një gjeneratë të re dhe të shëndoshë (a.a)

KOMENTE

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0