Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kërkon që Ligji për Veteranët e Luftës të kthehet sa më shpejt në seancën plenare të Parlamentit të Kosovës. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se veteranët meritojnë të kenë statusin e garantuar, duke marrë parasysh gjithë sakrificën që e kanë bërë për lirinë e Kosovës. Ai kritikoi Qeverinë për neglizhencën që po i bën kësaj kategorie.
Isufi tha se gjendja e veteranëve të luftës së UCK është shumë e rëndë dhe si pasojë përveç që janë mbajtur protesta, janë edhe 48 veteranë që kanë bërë vetëvrasje. Arsyetimet e qeverisë se nuk ka fonde për t’i mbuluar shpenzimet për arritjen e beneficioneve të veteranëve, AAK i konsideron si neglizhencë.
“Një neglizhencë e tillë po e dëmton pjesën më vitale të shoqërisë e cila është angazhuar për ditët e lirisë që e ka Kosova. Mendojmë se me këtë neglizhencë po fyhet kjo kategori dhe po injorohet në shkallën më të skajshme”, tha ai, transmeton RTK.
Prandaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kërkon që Ligji për Veteranët e Luftës të kthehet sa më shpejt në seancën plenare:
“Kërkesë e jona është që ligji të vijë sa më shpejt në seancën plenare në mënyrë që të kenë statusin e garantuar veteranët e luftës së UCK-së dhe t’i gëzojnë të drejtat e tyre duke pasur parasysh krejt sakrificën që e kanë bërë ata”, tha ai.