DYLON

AAK: Kuvendi ta themelojë ushtrinë para sesionit vjeshtor

Avatar photo Redaksia

Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kërkoi që me urgjencë të procedohet ligji për ushtrinë e Kosovës dhe, njëherësh kërkoi shpjegime të drejtpërdrejta nga kryeministri Mustafa dhe ministri Demolli, se për çfarë arsyeje nuk po e procedojnë projektligjin për Forcat e Armatosura të Kosovës në Kuvend.

Sipas AAK-së, Kuvendi duhet që menjëherë ta themelojë Ushtrinë e Kosovës, para sesionit vjeshtor, ndryshe preferencat e Listës Serbe, përkatësisht asosacionit politik serb, do t’i rrisin apetitet e tyre të pengimit dhe instrumentalizimit të mëtutjeshëm.

EkoHigjiena

“Ekzistojnë disa gjetje themelore, përse Qeveria Mustafa-Thaçi po e neglizhon këtë sektor kyç të sigurisë dhe mbrojtjes: Qeveria po e humbë sensin strategjik për të themeluar FAK-un; Qeveria, me këtë neglizhencë të papranueshme dhe paaftësi, krijon përshtypjen se po tallet me të ardhmen e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe me sigurinë nacionale të Kosovës; Kualiteti i dobët i qeverisjes, njëherësh paaftësia e tyre për të negociuar “çështjet e panegociushme”, ka bërë që zyrtarë të lart të Serbisë dhe të Kosovës të ironizojnë dhe të luajnë me fatin e FAK-ut, duke u faktorizuar si përcaktues”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu sipas AAK-së, aspekti strukturor dhe komandues dhe ai operacional i shtrirjes gjithëterritoriale, është bërë temë kohëve të fundit, për të cilën AAK thotë se janë kundër çdo lloj ndërhyrjeje që e anatemon substancën e të qenit ushtri tipike e Kosovës, moderne dhe në NATO.

“FAK-u, Ushtria e Kosovës, si çështje kaq vitale për garantimin e sovranitetit të Kosovës, ka qenë dashtë të bëhet menjëherë pas formimit artificial të Qeverisë Mustafa-Thaçi, pra që nëç muajin e parë qeverisës dhe jo të krijohet ky vakuum kohor dhe politik, duke iu krijuar hapësirë si brenda e edhe jashtë ndikimit të Serbisë dhe faktorëve të tjerë destruktive, që të shfaqin ide në dëm të së ardhmes së Ushtrisë së Kosovës; Qeveria, e cila nuk po arrin akoma procedimin dhe amandamentimin e ligjit për FAK-un, njëherit nuk arriti të realizojë detyrimet kushtetuese për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, duhet dhënë llogari për dështimet e njëpasnjëshme”, thuhet në komunikatë.

Departamenti i AAK-së për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë kërkon që FAK–u, përkatësisht Ushtria e Kosovës të konsiderohet prioritet strategjik për Kosovën dhe përpara çdo lloj nisme në Kuvend dhe që menjëherë të veprohet në themelimin e tij.

AAK–ja e vlerëson përgjithësisht me notë negative paqartësitë në krijimin e kësaj situate të paqëndrueshmërisë parlamentare dhe pamundësisë së themelimit të FAK-ut nga Qeveria Mustafa-Thaçi, duke theksuar se qeveria nuk ka treguar përgjegjësi kushtetuese dhe aftësi politike e kadrovike të menaxhimit dhe të ekspertizës për t’iu ofruar qytetarëve klimën e mirëbesimit, aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes, në të gjitha nivelet e saj, për perspektivën e qëndrueshme socio-politike dhe ekonomike të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.