/2L ONLINE/ – Rexhep Kadriu, kryetari i Degës së AAK-së në Gjilan, njëherësh nënkryetar komune, beson fuqishëm se përbërja e tanishme do të qeverisë me Gjilanin edhe mandatin e ardhshëm, ndërsa , për të, PDK-ja opozitare do të duhej të vazhdojë të “pushojë” nën hijen e taborit opozitar edhe për katër vite të tjera.
Kadriu i cili i ka ra me të kuqe, PDK-së, kur është në pyetje partneriteti me të, ka thënë se PDK duhet të mësohet të qëndrojë edhe për katër vite të tjera në opozitë sepse AAK-ja e Gjilanit e ka dhe do ta ketë partnerë LDK-në dhe se sërish komuna do të qeveriset nga ky partneritet, ani se do të ketë rotacion.
Kadriu i AAK-së beson se do të jetë subjekti i tij që do të jetë fitues në zgjedhjet e radhës në Gjilan, por se kjo, sipas tij, nuk do të ndryshojë gjë kur është në pyetje partneriteti në bashkëqeverisje, sepse AAK-ja fituese do ta ketë për partnerë LDK-në, pra sipas tij do të ketë prapë bashkëqeverisje të njëjtë vetëm se atëherë në formulën AAK-LDK.
Duke qenë i prerë, sa i përket partneritetit të mundshëm me PDK-në, Rexhep Kadriu, shprehet shkurt e qartë: “Edhe për katër vitet e mandatit të radhës, assesi jo me PDK-në”.
“PDK-ja do të duhej të pastrohet prej të bëmave, prej skandaleve që i ka pas për shtatë vite të qeverisjes së saj me Gjilanin, për ta menduar partneritetin me ta”, ka thënë Rexhep Kadriu, kryetar i Degës së AAK-së në Gjilan, njëherësh nënkryetar komune. /2L ONLINE/