Departamenti për Sundim të Ligjit, në kuadër të AAK-së, e ka ngritur problemin e transportimit dhe përdorimit të drogave për vite me radhë, duke theksuar se niveli i drogave nëpër Kosovë është jashtëzakonisht shqetësues.
”Drejtori i Policisë së Kosovës (PK), Shpend Maxhuni, në një intervistë televizive deklaroi hapur se një prej problemeve më të mëdha në Kosovë është lëvizja e madhe e drogës në dhe nëpër Kosovë.
AAK i bën thirrje edhe njëherë Qeverisë së Kosovës të ndërmerr masat urgjente në luftimin e drogave në përgjithësi në Kosovë, si ato që kalojnë transit, po ashtu edhe ato që kanë për destinim përdorimin e drogave nga qytetarët e Republikës së Kosovës.
Fakti se Policia e Kosovës e shpreh çështjen e drogave si një prej problemeve kryesore në Kosovë nuk është i mjaftueshëm. AAK pret nga Policia e Kosovës të jetë më efikase, më e fuqishme dhe e pakompromis në luftën kundër drogave të të gjitha llojeve në Kosovë.
Vazhdimi i ekzistimit të drogave nëpër Kosovë dhe përdorimi i tyre nga qytetarët e moshave të ndryshme rrezikon thelbin e shoqërisë kosovare – familjen, ndikon në rritjen e krimeve të llojeve të ndryshme, ndikon negativisht në mirëqenien sociale, si dhe në shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës”, thekson AAK.