DYLON

A u takon dhe sa u takon shqiptarëve Lindja e Mesme?!

Avatar photo Redaksia

(Histori e dhimbshme dhe tepër prekëse dymijëvjeqare e shqiptarëve në Lindje të Mesme; Me dhjetëra mijë të vdekur për “tokën e premtuar të Zotit” dhe asnjë faqe e shkruar drejt për te në histori).

Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami

EkoHigjiena

(2L ONLINE) – Është parim, së paku moral, i individit apo i shoqërisë të kërkoj hak dhe të drejtë në diçka që ka derdhur djersë, ka dhënë mend e mund, kontribut, gjak dhe jetë për te…!

Ne, si komb me shekuj të tërë i dhamë kontributin tonë, gjakun dhe jetën tonë Lindjes së Mesme, kurse Lindja e Mesme nëpër mote ishte ndriçuar pikërisht me dritën që dijetarët shqiptarë, arkitektët, filozofët, poetët, politikanët e të tjerët i dhanë asaj. Me djersën dhe gjakun e trimave shqiptarë është ujitur ajo tokë e zalltë që ende nuk sheh dritën e lirisë. Ajo, edhe më tutje është e ndrydhur dhe e shtypur, fillimisht nga të vetët politikanë zullumqarë.

Shqiptarët prekën e nga andej e prekën nga Lindja e Mesme nëpërmes apostujve, havarijunëve të profetit Isa, a,s, kur këta të fundit dhunshëm ishin detyruan të lëshojnë Lindjen e Mesme. Havarijunët erdhën në tokat ilire shqiptare. për të përhapur fenë e Zotit e ilirët ishin ata që i pritën zemërhapur havarijunët, anipse pushteti romak që po shtrihej mbi tokat shqiptare, këta apostuj së bashku me ndihmëtarët e tyre i ngulte në hunjë të zjarrtë për së gjalli. Janë të njohura dhe tepër prekëse ngjarjet kur “ndihmëtarët e Zotit” digjeshin për së gjalli, për të mirën e njerëzimit. Ilirët më vonë mbetën nën hije, sepse nuk ditën dhe nuk munden të provojnë vlerat e tyre prej ndihmatari. Historia shënoi fjalën Romë e romak, por jo Iliri, shqiptarë e as ilirë. Pa dashtaz humbëm rastin dhe dështuam…!

Shqiptarët si shoqëri vazhduan me kontributin e tyre edhe përgjatë viteve 1600 e më tutje kur holandezët hulumtonin rrugët e Hormusit dhe nga andej drejt Lindjes së Mesme. Ishin pra të krishterët shqiptarë, “shërbëtorët” e kishës, inxhinierë, mjekë, detarë dhe ushtarakë të kyqur në rrjedhat shkencore dhe politike të Evropës së atëhershme. Edhe këtu, historia shënoi vetëm fjalën Holandë e holandez, por jo Shqipëri e as shqiptarë. Padashtazi edhe kësaj here humbëm rastin dhe dështuam…!

Shqiptarët vdiqën edhe në Luftën e Kryqëzatave. Trupat e tyre mbetën nën zallin e nxehtë në Lindje të Mesme, por si emër i gjallë mbeti Gjermania, Spanja, Portugalia, riçardët ajfonsot, por jo Shqipëria e as emri shqiptar. As këtu nuk ditën, nuk mundën të promovojnë veten që të mbeten në histori. Shqiptarët prapë dështuan…!

Përgjatë kohës osmane shqiptarët prapë ishin në skenë, atje, derdhën djersë, dhanë mund dije, gjak e jetë, por edhe kësaj radhe dështuan të hyjnë në histori, me emër e mbiemër që kishin; Shqiptarë.

Si rrjedhojë e si asnjëherë më parë shqiptarët nga ku jetonin, në Lindjen e Mesme dërguan shkëndijat dhe fillet e para të asaj që sot quajmë Civilizimi Perëndimor. Ishte Mehmet Ali Pashë Kavaja, gjenerali i ushtrisë së pamposhtur i dërguar në Lindje të Mesme dhe nisur nga Egjipti shtypi të gjitha lëvizjet vehabiste, deri në Mekë, që po trondisnin Perandorinë Osmane. Nami dhe trimëria e tij nuk harrohet dot, por ne shqiptarët pak mësuam nga ajo histori sepse nuk ishim ne që shkruam për vetveten. Të tjerët e bënë, dhe ne dështuam. Margjinat e historisë së Lindjes së Mesme mbetën skutat ku mezi zuri vend emri shqiptar. Me shekuj udhëhoqëm me tokën e faraonëve, Luginën e Nilit, me shekuj i dhamë Afrikës Veriore, “Mesit të Botës” dhe gjithandej Lindjes së Mesme por thuajse vetëm pak mbetëm në histori, si shqiptarë.

Gjaku shqiptar ujiti edhe vendin ku dikur ishte ngritur penda e Bilkises, ku Sylejmani kishte biseduar me bilbilin dhe ku mbiu gjaku i pastër arab. Ky Jemen pra, në fillim të shekullit njëzet u bë varri masiv i mijëra trupave të shqiptarëve. Osmanlinjtë, nga ana e tyre, për të mbrojtur Jemenin dërguan gjeneralët dhe ushtarët shqiptarë, ata ishin shpresa e fundit për tu mbrojtur Kalaja e Fundit osmanlite në Lindje të Mesme. Edhe kësaj radhe dështuam të shkruajmë emrin tonë në histori, sepse nuk ditëm, u frikuam dhe nuk mundëm të tregojmë se ne po mbronim Lindjen e Mesme. Shqiptarët edhe më tutje po punonin e luftonin nën flamujt e të tjerëve, jo të vetit shqiptar.

Shqiptarët edhe më vonë e deri sot e kësaj dite derdhin djersë, punojnë, luftojnë dhe vdesin për Lindjen e Mesme, por edhe më tutje jo nën flamurin shqiptar. Poetët e shekullit të kaluar, dijetarët, hoxhallarët, priftërinjtë, arkitektët, ndërtimtarët, detarët, gjeneralët dhe ushtarët shqiptarë ende janë në Lindje të Mesme. Naimi, Samiu e Noli, janë vetëm tre nga shumë të tjerë që Evropës i dhuruan Persinë, Arabinë, pikërisht nëpërmes përkthimit të thesarit të pafund letrar të Lindjes së Mesme. Por as kjo, edhe sot e kësaj dite nuk promovohet si vlerë kombëtare e shqiptarëve që po lëmë vetveten, edhe më tutje në margjina të historisë.

Shqiptarët vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt Lindjes së Mesme. Atje veprojnë si punëtorë, mjekë, dijetarë, ndërtimtarë, politikanë, poetë e ushtarë. Një pjesë e faqeve të historisë shqiptare vazhdon të jetë e ngjyrosur me ngjyrën e rërës së Lindjes së Mesme, ndërsa toka e atjeshme edhe më tutje ruan ngjyrën tonë, si shqiptarë.

Historinë tonë duhet të shkruajmë drejt, shqip dhe si shqiptarë. Jo vetëm historianët që dinë të shkruajnë vetëm histori, por të gjithë, politikologët, sociologët, psikologët, arkeologët, teologët e shumë të tjerë, së bashku, shkencëtarisht dhe për të mirën e këtij populli. Dymijëvjetëshi i kaluar nuk guxon të jetë viktimë dhe as të mbetet nën hijen e politikave ditore që të tjerët përgatisin për ne shqiptarët. Ne dhamë dhe japim edhe më tutje për Lindjen e Mesme. Ne kemi të drejtë të kërkojmë hak dhe të drejtë në Lindje të Mesme. Atje, gati sa edhe këtu kemi trupat e varrosur të njerëzve tanë. Shqiptarët, po aq sa Perëndimi kanë të drejtën të kërkojnë hapësirën e merituar në Lindjen e Mesme. Edhe ne duhet të fitojmë nga Lindja e Mesme, ti kontribuojmë asaj, por vetëm si shqiptarë.

Dhe për fund; Po. Lindja e Mesme u takon edhe shqiptarëve, por sa, për aq sa dimë, kemi e më së shumti për aq sa mundemi të bëjmë për vetveten, ne vet, së bashku me miqtë të shkruajmë historinë. Sepse, të mundesh, sot është më e madhe se të dish dhe të kesh, jo vetëm histori…! /2L ONLINE/