A u bë riformatimi sa për ta heq qafe Sokol Hazirin?!
/2L ONLINE/ – Kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri- Luta kishte nisur riformatimin e qeverisjes lokale duke e bërë një pjesë të saj me 7 gusht dhe duke premtuar se menjëherë brenda javës do të vazhdojë tutje edhe me plotësime të tjera në nivel të drejtorive si shkallë e parë, por edhe në nivelin tjetër më të ulët të menaxhimit, por ja që deri më sot, ndonëse kanë kaluar mbi 40 ditë, nuk ka ndodhur asgjë.
Kur shohim pjesën e formatimit të bërë me 7 gusht, në cilat drejtori, dhe po ashtu zhvillimet e mëpastajshme, duket se një gjë e tillë del të jetë bërë veç sa për ta hequr qafe Sokol Hazirin, nga të qenit drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, që vinte nga AAK-ja, që ashtu edhe siç kishte paralajmëruar, edhe e braktisi atë subjekt.
Rikujtojmë se në këtë pjesë të riformatimit që kishte bërë kryetari Lutfi Haziri ndryshimet që kanë ndodhur në menaxhimin politik të drejtorive të ndryshme ishin në:
Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale
Drejtorinë për Buxhet dhe Financa
Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim
Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik
Drejtorinë e Shërbimeve Publike.
Dhe, kur kemi parasysh ndërrimet e bëra, shohim se që në tri drejtoritë e para, kishim ushtrues detyre, pra aty edhe ashtu duhej dhe pritej të ndërmerreshin hapa për t’i bërë ato drejtori tamam me drejtor, derisa drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, me muaj të tërë është përfolur se do ta lirojë atë pozitë pasi do të shkojë në Prishtinë, me pozitë tjetër dhe vetëm priste momentin e duhur, e i vetmi që ushtronte detyrën si drejtor i emëruar dhe pretendonte të vazhdonte tutje, pasi, sipas tij, po korrte suksese, ishte drejtori në drejtorin e pestë, ai në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, pra Sokol Haziri, por që veçse kishte nisur t’i shprehte hapur pakënaqësitë me subjektin e tij AAK-në, që në Gjilan është partnere e LDK-së, dhe se pritej që ai në çdo moment edhe ta braktiste atë.
Për aktin e riformatimit pozita e opozita kishin shprehur mendime të ndryshme, madje edhe të kundërta. Vet kreu i Komunës Lutfi Haziri kishte thënë se ndryshimet në kabinetin qeverisës bëhen sipas marrëveshjes së konfirmuar me partnerët e koalicionit, për me vazhdua tutje para, në mënyrë që performanca dhe shërbimet të jenë të shpejta dhe efikase për qytetarët e Gjilanit, ndërkohë që janë lavdëruar edhe ish drejtorët për punën e bërë e për të cilët është thënë se do të kalojnë në detyra tjera ekzekutive dhe shërbyese.
Në anën tjetër, interesant është edhe fakti që opozita, në gjuhën e tyre kritikuese ndaj pushtetit aktual, kursente here pas here pozitën në disa çështje, bile në ato shumë pak fjalë pozitive sa mund të dëgjoheshin nga ajo, përkatësisht, “punët të mira” sipas tyre, që janë bërë nga pushteti, përmendej ndonjëherë edhe angazhimet e mira të Drejtorisë së Shërbimeve Publike.
Përndryshe, vet Sokol Haziri, pasi ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit kishte bërë me dije se ndonëse drejtoria e tij ishte shpallur më e mira në nivel vendi dhe se ai ishte në kulmin e suksesit, çuditërisht atij iu kishte kërkuar të tërhiqet, madje edhe nga vet kreu i partisë së tij, gjë që ishte e pakuptimtë dhe se nuk e kishte bërë, por më pas ishte shkarkuar nga kreu i komunës pasi këtë drejtori tani më e ka marrë LDK-ja, me bekimin e AAK-së.
Për më tepër, ai kishte thënë se realisht nuk e di pse e kishin hequr nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, por se supozon se e kanë bërë një gjë të tillë, sepse nuk është njeri i kalkulimeve, nuk bëhet kurrë pjesë e klaneve dhe e interesave të ulëta individuale, por përherë është angazhuar sinqerisht për të respektuar ligjin dhe që të jetë në shërbim të interesave të përgjithshme, e kjo, sipas tij, i ka penguar dikujt.
“Nuk e di realisht pse jam hequr nga pozita e drejtorit, pasi isha me plotë suksese. Madje edhe opozita ka pas vlerësime pozitive. Por, siç duket do të ndodhin gjëra të këqija aty dhe në mua nuk kanë mund të llogarisin, andaj më larguan për të bërë, atë që synojnë”, kishte thënë Sokol Haziri.
Megjithatë, riformatimi, pjesa e dytë, do të duhej të vazhdojë tutje edhe për faktin se ka akoma ushtrues detyre apo pozita që kërkojnë drejtues siç është shembull Njësia për Kulturë, Rini e Sport, që medoemos do të duhej të i ketë drejtuesit, apo edhe në ndonjë drejtori tjetër “ku drejtori aktual “u lodh” dhe duhet zëvendësuar me të riun “e freskët”. /2L ONLINE/
