/2L ONLINE/ – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Dega në Gjilan, sot duket më e mobilizuar në terren, pasi pret t’u vije i pari i partisë, kryetari i PDK-së Hashim Thaçi, e bashkë me të do të jetë, ndër tjerë, edhe zëvendëskryetari Kadri Veseli. Vizita e krerëve më të lartë të PDK-së është e para prej se në krye të Degës së PDK-së në Gjilan erdhi Zenun Pajaziti.
Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, që po synon edhe postin e presidentit të vendit, së bashku me zëvendëskryetarin e PDK-së Kadri Veseli, që njëherësh është edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, dhe që pret t’i merr “frenat” e PDK-së në dorë, kur Thaçi të bëhet president, do të takohen me strukturat, anëtarët dhe simpatizantët e partisë. Takimi do të mbahet në Sallën e Teatrit të Qytetit nga ora 16:30.
Nga PDK-ja e Gjilanit nuk është bërë e ditur agjenda e këtij takimi dhe çështjet që do të jenë fokus, a do të vijnë krerët e partisë për veten e tyre (meraku i postit të presidentit, për njërin, dhe i kryetarit të PDK-së, për tjetrin), apo për Degën. Megjithatë besohet që udhëheqja e tanishme e Degës, ndonëse me vonesë, do të marrë mbështetjen e fuqishme nga qendra në lidhje me konsolidimin që është duke e bërë Dega me strukturat e saj në terren, me pretendimin që ta rikthej këtë subjekt në pushtet, të cilën e humbi në zgjedhjet e fundit. Njoftimi i strukturave për aktualitetin në vend, pritet të jetë po ashtu pjesë e këtij takimi.
Përndryshe, Dega e Gjilanit nuk është ndarë e kënaqur me trajtimin që ua ka bërë qendra në ndarjen e “kulaçit” në qeverisjen qendrore, pasi ka konsideruar se kuadrot e saj janë anashkaluar dhe këtë disa përfaqësues të saj e patën shprehur edhe hapur. Tek tani së fundi Izmi Zeka (nënkryetar dege), ka marr postin e një zëvendësministri dhe po ashtu ndonjë nëpër borde, ani se Dega e PDK-së në Gjilan vlerëson se kanë me bollëk kuadro të devotshme që kanë qenë shtylla të partisë, por “nuk i ka parë” qendra./2L ONLINE/