Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka ndryshuar qëndrimin e saj në raport me dialogun që po zhvillojnë Prishtina dhe Beogradi më ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Nga AAK-ja, procesi i dialogut dhe negociatave tashmë po konsiderohet i degraduar dhe në dëm të Kosovës.
Ky subjekt politik, ende e ka nënkryetarin e parë të partisë, Blerim Shala, në postin e koordinatorit politik të këtij dialogu.
Megjithatë, përbrenda AAK-së që nga fillimi kishte disa mospajtime rreth pozicionit që ky subjekt politik ka mbajtur në raport me bisedimet dhe marrëveshjet. Së fundit, nënkryetari i saj, Ahmet Isufi, konfirmon se AAK nuk mund të mbështes tutje një proces po degradon dita- ditës.
“Dialogu ka devijuar dhe ka degraduar në dëm të Kosovës”, ka thënë Isufi. Sipas tij, ka një kohë të gjatë që palët në bisedime po harxhojnë kohë duke i rikthyer në rinegocim çështjet për të cilat tashmë ka marrëveshje dhe është dashur që moti të zbatohen.