/2L ONLINE/ – Partneritetet në qendër dhe në nivel lokal kur nuk janë të njëjta, por përkundrazi i takojnë taboreve të kundërta pozitë–opozitë, por krijojnë situata paradoksale por edhe reagime nga më të ndryshme, varësisht prej zhvillimeve në qendër dhe reflektimit të tyre nëpër degë. Ngjashëm po ndodh edhe në Gjilan, komunë që qeveriset nga LDK me partnerë, e ku njëri nga këta partnerë, kryesori, është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), por që në nivelin qendror është pjesë e Opozitës së Bashkuar.
Dhe, kemi pas deri më tani edhe reagime publike, sidomos nga disa përfaqësues të LDK-së së Gjilanit, që qartë kanë shprehur mos durimin e mëtejmë të partnerit të tyre AAK-së, në koalicion, kur ka përkrahur opozitën e bashkuar në nivel qendror, e cila atje është në anën tjetër prej LDK-së.
Por, ata që vendosin në LDK megjithatë i kanë “qetësuar gjakrat” kur edhe ata publikisht kanë vlerësuar se i ndajnë gjërat, dhe se partneriteti vlen për nivel lokal dhe aty po funksionon, ndërsa subjektet janë të pavarura dhe i përgjigjen hierarkisë së tyre degë–qendër.
Ndërkohë, duke iu referuar pikërisht funksionimit të një opozite të bashkuar në nivel qendror ku janë Vetëvendosje, AAK dhe NISMA, Nevzad Isufi nga Vetëvendosja e Gjilanit, që njëherësh është edhe pjesë e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ku ka rolin e Shefit të Grupit, e vlerëson se AAK-ja në nivel qendror ka bërë një hap ndryshe për dallim nga më herët, duke u bërë pjesë e opozitës, e jo e pjesë e bashkëqeverisjeve. Ai e ka vlerësuar të drejtë këtë veprim të tyre.
E, tani kur jemi te niveli lokal, lidhur me këtë çështje, ai tha se subjektet e kanë pavarësinë e tyre por edhe hierarkinë duke lënë të kuptohet se kjo çështje i takon vet AAK-së Degës në Gjilan, dhe qendrës për të vendosur për një çështje qoftë edhe kjo e koalicionit.
Por, ai pranoi se në përgjithësi do të ishte mirë që të shqyrtohen mundësitë e lëvizjeve edhe në nivele lokale në këtë drejtim, pra sa i përket kësaj çështjeje, sepse kështu do të krijohej baraspesha. Megjithatë ai tha se subjektet politike e kanë hierarkinë e tyre në funksionim, zakonisht ato mund të përafrohen mes vete, në bazë të programeve të përafërta dhe synimeve që kanë. /2L ONLINE/