DYLON

A po e respektojmë diasporën, apo po e plaçkitim atë?!

A po e respektojmë diasporën, apo po e plaçkitim atë?!
Avatar photo Redaksia

Nga: Arlind Vokshi

Pjesa më e çmuar që ka Kosova është diaspora jonë. Ajo nuk na la vetëm as në kohët më të vështira – nga lufta e deri më sot. Me ndihma për familjet, me mbështetje për njerëzit në nevojë dhe me përkushtim të palëkundur për vendin, ka qenë gjithmonë pranë nesh pa zhurmë, por me ndikim të madh.

EkoHigjiena

Pavarësisht paragjykimeve që shpesh vijnë nga individë që e përdorin temën e diasporës për përfitime personale apo për retorikë boshe, kontributi i saj është i pamohueshëm.

Po, edhe për diasporën ka vend për kritikë për ata që harrojnë nga janë rritur, që ndihen më lart se të tjerët, që i humbin vlerat me kalimin e kohës. Por kjo nuk mund të bëhet arsye për të zbehur sakrificën e shumicës.

Vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2025, diaspora ka sjellë 530 milionë euro remitenca në Kosovë. Ky nuk është një detaj statistikë. Është realiteti ekonomik i një vendi që mbijeton, zhvillohet dhe qëndron mbi ndihmën e bashkatdhetarëve tanë.

Ata vijnë çdo verë, shpesh me dhjetëra orë udhëtim, vetëm për t’u çmallur me tokën, njerëzit dhe kujtimet. Në shumicën e rasteve, secili prej tyre shpenzon mijëra euro për pushime, duke dhënë një infuzion të jashtëzakonshëm për ekonominë dhe bizneset vendore.

Por pyetja që duhet të bëjmë sot është:

A po kujdesemi që ata të kalojnë pushime të denja në vendin e tyre, apo po i shohim vetëm si burim përfitimi të shpejtë?

Me keqardhje, në shumë raste diaspora nuk shihet si partner, por si “target sezonal” për rritje të çmimeve dhe shërbime të dobëta. Kjo nuk është mikpritje është abuzim me një marrëdhënie që është ndërtuar mbi sakrificë dhe dashuri për vendin.

Le të mos e zbehim respektin dhe lidhjen që diaspora ka ndaj Kosovës. Ajo nuk kërkon shumë: Pak dinjitet, pak kujdes dhe një ndjesi se është e mirëpritur jo vetëm si konsumatore, por si pjesë e pandashme e këtij vendi.  /2LONLINE/