(2LONLINE) – Në këshillin për veprim lokal të Gjilanit, “KVRL”, sipas disa burimeve, nuk është përmendur fare fillimi i procesit të zgjedhjeve në këtë organizatë, pas ndërrimit të pushtetit komunal. Me datë “31.12.2013”, është mbajtur një “kuvend”, ku arsyeja kryesore ishte krijimi i një rrjeti sa më të gjerë, për të forcuar pozitën e kryetarit Haziri dhe për t’u infiltruar dora e tij vendimmarrëse edhe këtu, së paku kështu po duket në publik, pasi që s’ka ndonjë reagim konkret nga të njëjtit, për të pranuar që kanë shkelur ligjin.
Persona të afërt me kryetarin e Gjilanit z.Lutfi Haziri, siç është Valdrin Halimi, djali i kandidatit për asamble komunale nga radhët e LDK-së ne zgjedhjet e fundit komunale (Hajriz Halimi); Genc Mustafa, vëllau i Lulzim Mustafës – nënkryetar i Forumit Rinor të LDK-së; Irfan Veseli, nënkryetar i USPE-së, e cila tashmë është e njohur nga publiku që është themeluar dhe udhëhiqet nga kryetari i Lëvizjes Republikane, Selver Xhelili, tanimë krahë i “patundshëm” i Lutfi Hazirit, kanë gërshetuar interesat e tyre partiake dhe personale duke dashur të çimentojnë edhe këtë organizatë joqeveritare, që njihet me ligj nga drejtoria për kulturë, rini dhe sport, si urë lidhëse mes organizatave rinore dhe drejtorisë përkatëse.
Këta persona në lokalet e universitetit të Gjilanit, kanë mbajtur te ashtuquajturat “zgjedhjet” e KVRL-së, e ku në këto “zgjedhje” merrte pjesë vetëm sekretari i saj z. Irfan Veseli, me disa OJQ-ë që kurrë nuk kanë qenë pjesë e KVRL-së. Proces ky pa kredibilitet, dhe i organizuar me tendencë partiake ku është krijuar një thes “njerëzish”, që së pari kanë prioritet “mbushjen e gjepave të tyre”, pastaj forcimin e partisë dhe kryetarit të tyre, e jo krijimin dhe plotësimin e kushteve elementare të shumë të rinjve të komunës sonë.
A do të distancohet Lutfi Haziri nga këto organizime të jashtëligjshme, apo tanimë është pjesë përbërëse e tyre …! Autokracia nga pushteti duhet ndalur, sepse vetëm për pak kohë që janë sistemuar në pozitat udhëheqëse të komunës së Gjilanit, kanë filluar të gozhdojnë çdo hapësirë, ku po u jepet mundësia!
Po ashtu presim distancim të menjëhershëm, nga ky veprim joligjor, nga Drejtori pë Rini, Kulturë dhe Sport z. Bujar Haziri, pasi që ky i fundit deri para emërimit në këtë pozitë, ka udhëhequr sektorin për rini, dhe e ka të qartëmirë strukturën dhe mënyrën ligjore të krijimit të KVRL-së. Për fund, patjetër duhet dhënë një kërkesë për kryetaren e tanishme të KVRL-së, zj.Eranda Isufi që të shkarkojë në mbledhjen e parë Irfan Veselin, për veprimet e tij të kundërligjshme dhe në dëm të rinisë gjilanase.
/Fatlum Zeneli, Ish nënkryetar i KVRL-së/