/2L ONLINE/ – Derisa një pjesë bukur e mirë e kuvendarëve gjilanas shfrytëzojnë pauzën për ta ndezë një cigare në hollin e Kuvendit, mu aty afër shenjës ku ndalohet pirja e duhanit! dikush tjetër e shfrytëzon atë për të këmbyer ndonjë fjalë mes tyre, për t’u koordinuar për pjesën tjetër të seancës, por ka edhe të tillë që mospajtimet e tyre politike mund t’i transmetojnë më ndryshe sesa përbrenda seancës, duke u cilësuar pastaj nga dikush-dikush edhe si fyerje, kërcënim…
Dhe, kjo ndodhi edhe sot në pauzën e parë që dha kryesuesja e Kuvendit.Me t’u kthyer në ulëset e kuvendarëve për të vazhduar me procedim të mëtutjeshëm me punë, ka kërkuar fjalën fillimisht Bujar Nevzati e më pas edhe Riad Rashiti, që të dy anëtarë të PDK-së, të cilët kërkuan nga shefi i grupit të LDK-së Avdyl Aliu të kërkojë falje, pasi siç thanë, ai i kishte fyer, kërcënuar përgjatë pauzës.
Riad Rashiti
Bujar Nevzadi
Nevzati tha se askush nuk mund t’i frikësojë me kërcënime. Ndërsa, Riad Rashiti ishte më konkret duke thënë se derisa sqarohej me këshilltarin tjetër të LDK-së, duke ia treguar atij një dokument, Aliu ia ka hedhur në tokë atë, ndërsa iu është drejtuar edhe Bujar Nevzatit me kërcënime verbale.
Por, kjo është mohuar kategorish nga Avdyl Aliu, duke thënë se në jetën e tij aksujt nuk iu ka kërcënuar e aq më pak, këtyre dy kuvendarëve. Ai tha se puna e tij është transparente dhe çdo kush i pranishëm në seancë e dëgjon diskutimit e tij dhe se e sheh që nuk a të bëjë asnjëherë fjala e tij me kërcënime. Por, Aliu tha se nëse prania e tij fizike vlerësohet kërcënim nga dikush, atëherë ai nuk ka se çfarë t’u bëjë, sepse ka ndërmend me vazhdua e mos me u ndal me aktivitetin e tij politik, si këshilltar komunal.
Ndërkohë, që kryesuesja e Kuvendit Valentina Bunjaku – Rexhepi ka kërkuar nga të dyja palët që të reflektojnë, mos ta keqpërdorin Kuvendin, dhe duke mos ua dhënë më fjalën, ka vazhduar tutje me procedim të Kuvendit. / 2L ONLINE/
Avdyl Aliu