A mbushemi mend ndonjëherë?!
/2L ONLINE/ – Osman Ibrahimaj, qytetar nga Gjilani ,është ndër ata të paktët që del për çdo ditë në Stanishor, pjesën rekreative të saj. Ai i takon grupit të vullnetarëve të mëngjesit të cilët, përveç ushtrimeve, ndër tjerash, kujdesen edhe për ambientin e kësaj ane.
Por, ajo që e shqetëson këtë qytetar gjilanas që përkundër moshës 75 vjeçar vazhdon të jetë akoma aktiv, është fakti që ka edhe të atillë që tregohen të papërgjegjshëm ndaj natyrës, ndaj ambientit duke kontribuar në ndotjen e tij, pa kursyer as një vend kreativ siç është Stanishori.
“Në këtë hapësirë, përveç pushimeve të qytetarëve aty bëhen edhe ushtrime sportive rekreative nga grupe të ndryshme, duke përfshirë edhe sportistë, andaj ajo hapësirë përveç që duhet ruajtur, në të duhet edhe të investohet. Ndërkohë që ka edhe të tillë që nuk e qajnë kokën për këtë dhe se si duket nuk e kanë ndërmend as të mbushen mend asnjëherë sepse me veprimet e tyre po e degradojnë atë pjesë, gjë që shihet edhe nga këto fotografi të bëra tani së fundi”, ka thënë Ibrahimaj për Portalin 2L ONLINE.
Ai edhe këto ditë përmes aparatit të tij ka dokumentuar papërgjegjësinë qytetare që hedhin mbeturina kudo. Ai thotë se shpeshherë vet i largojnë ato, por se prapë dikujt që i pengon pastërtia, kujdeset për të degraduar sërish atë vend.
E keqja sipas Ibrahimajt është edhe fakti që institucionet nuk po reagojnë, nuk po ndërmarrin diçka konkrete që këto veprimet të shëmtuara të mos përsëriten më.
Përndryshe, përveç mbeturinave që grumbullohen aty shpesh herë aty hedhen edhe dhe apo rërë, kocka. pastaj demolohen ulëse apo gjësende të tjera që vendosen për t’ju shërbye qytetarëve, përkatësisht vizitorëve të kësaj pjese që vlerësohet të jetë pjesë rekreative sportive. / 2L ONLINE/




