A kanë folur profesionistët e fushës për projektin e Bulevardit të Gjilanit?
Shkruan: Ardian Azemi
E kam fjalën për profesionistë të vërtetë, arkitektë, urbanistë, inxhinierë të komunikacionit dhe ekspertë të fushave përkatëse, që mund ta vlerësojnë me kompetencë nëse ky projekt, përveçse i realizueshëm, është edhe funksional për qytetin.
Mund të ndërtohet një projekt dhe prapë të mos jetë zgjidhja më funksionale. Pikërisht për këtë arsye do të ishte mirë t’i dëgjojmë profesionistët që Gjilani i ka me dhjetëra.
Kush e ka projektuar? Kush i bënë matjet? Kush e mbikëqyr realizimin? A janë bërë analizat e nevojshme për qarkullim? A është ky projekti më funksional për ne, apo vetëm një projekt që mund të realizohet?
Nuk po e them këtë për t’i bërë keq askujt dhe as për ta kundërshtuar zhvillimin e qytetit. Përkundrazi.
Po kërkojmë transparencë.
Si taksapagues, meritojmë të dimë çka po investohet, si po investohet, kush po e projekton, kush po e mbikëqyr dhe mbi çfarë analizash profesionale është bazuar projekti.
Le të flasin profesionistët. Le t’i dëgjojmë argumentet e tyre.
Thjesht pyetje që dalin nga nevoja me e ditë çka po ndodh me paret e popullit. /2LONLINE/
