/2L ONLINE/ – Nëpër shumë komuna të Kosovës, organizata joqeveritare, shoqata si dhe iniciativa qytetare, janë aktive dhe të organizuara, ato tërheqin vëmendjen e qytetarëve dhe të autoriteteve kompetente për trajtim të vëmendshëm të problemeve që preokupojnë jetën e përditshme të qytetarëve.
Në komunën e Gjilanit, iniciativat qytetare nuk vërehen fare dhe thuaja se nuk ekzistojnë. Shoqëria civile do të duhej të monitorojë punën e institucioneve në mënyrë që të krijojë presionin e nevojshëm që institucionet të jenë në shërbim të qytetarit, për çka edhe janë të thirrura.
Organizatat jo qeveritare, shoqatat e ndryshme të cilat avokojnë për të drejtat e grupeve të ndryshme qytetare, duhet të jenë aktive dhe aty ku të drejtat dhe interesat qytetare nuk përfaqësohen si duhet, ato duhet ta ngrisin zërin dhe t’i dalin në mbrojtje interesave qytetare sa herë qe ato nuk përfillen nga pushteti. Përmes organizimit nëpër organizata të ndryshme qytetare, individi bëhet pjesëmarrës aktiv në jetën politike sepse politikat komunale prekin drejtpërsëdrejti interesat e tija.
Shoqëria civile e organizuar mirë, mundë të ndikojë që përmes punës dhe aktivizmit qytetarë të ndikojë që pushteti t’i marrë parasysh kërkesat e arsyeshme të cilat do të qonin në përmirësimin e cilësisë të jetës së përditshme të qytetarit.
Në Komunën e Gjilanit nuk vërehet se ka iniciativa apo organizata qytetare të cilat do të përfaqësonin ato grupe qytetare të cilat grupe nuk përfaqësohen as nga partitë në pushtet dhe as nga opozita. Me që në Gjilan nuk ekziston thuaja fare shoqëria civile, për këtë shkak si oponencë e pushtetit mbetet vetëm opozita. Por, kur të marrim parasysh faktin se partitë politike si ato në pushtet po ashtu edhe ato në opozitë, interes parësor nuk e kanë qytetarin por agjendat e tyre partiake, atëherë për këtë shkak interesat e qytetarëve nuk përfaqësohen në mënyrën më të mirë nga partitë politike, qofshin ato në pushtet apo në opozitë. Partitë në pushtet synojnë sa ma gjatë ta ruajnë pushtetin e partitë në opozitë synojnë sa më shpejt të vinë në pushtet.
Se ka nevojë për një shoqëri civile të organizuar edhe në Gjilan kjo nuk do koment. por çështja është se si ajo të organizohet dhe të luaj rolin e saj në shërbim të qytetarëve dhe grupeve të ndryshme shoqërore të cilat janë të papërfaqësuara nga askush e që ka mjaft në komunën tonë.
Se cilat tema mundë t’i trajtojnë dhe ti menaxhojnë organizatat jo qeveritare, ato janë shumë si shembull integrimet evropiane ku shumë kushte duhet t’i përmbushin komunat dhe nga përmbushja e tyre varet edhe procesi i integrimeve, pastaj sundimi ligjit, transparenca e qeverisjes komunale, administrata publike, dukurit ascioale,të drejtat e njeriut, raportet ndër nacionale dhe ndër komunitare, zhvillimi ekonomik, arsimi, sporti dhe shumë fusha tjera ku shoqëria civile do të jepte kontribut duke i ngritë këto çështje para institucioneve sa herë kur institucionet nuk e bëjnë punën si duhet.
Shumë organizata jo qeveritare nuk arrijnë të ushtrojnë punën për të cilën janë themeluar, edhe për faktin se qëllim kanë pas donacionet duke menduar se nga tavolina e punës mund të krijojnë një projekt apo hulumtim dhe pastaj të marrin ndonjë donacion. Organizatat jo qeveritare duhet ta kenë të qartë se angazhimi në organizata jo qeveritare është jo fitimprurës dhe qëllimi i tyre duhet të jetë interesi i përgjithshëm qytetar.
Qytetari duhet të jetë pjesë aktive e vendimmarrjes. jo të presë në çdo katër vite ta thotë fjalën e vetë përmes votës së tij. /2L ONLINE/