A ka humbur shpresa në Kosovë?

A ka humbur shpresa në Kosovë?

Si ndodhi që shpresa e rilindur në vitin 1999 për të ndërtuar një shtet demokratik dhe të zhvilluar, tani e ca vite në Kosovë nuk ka kuptim? Cila ishte liria që ne deshëm dhe cilën liri tani po e kërkojmë për vetën tonë?

Nisur nga vlerësimi që filozofi Erich Fromm i ka bërë lirisë si koncept, ai në librin e tij “Ikje nga Liria” vlerëson se ka disa lloje të lirisë dhe se si ndërtohet ajo brenda një shoqërie.

Shkruan: Liridon Rama

Fromm ndan lirinë negative nga liria pozitive, pasi sipas tij njëra ka të bëjë me lirinë që popujt kërkojnë për t’u çliruar nga një pushtues dhe tjetra ka të bëjë me angazhimin e tyre për liri brenda një sistemi të mirëqenë.

Se si mund të kemi një argument të pastër për të vërtetuar e ne kemi mungesë lirie, pra zhvillimi – këtë e tregon dhe një raport i muajit Mars i bërë publik nga Komisioni Evropian lidhur me cilësinë e jetës në kontinentin e Evropës.

Pra, sipas të dhënave të këtij raporti shqiptarët kanë cilësinë më të ulët në Evropë dhe po ashtu janë populli më i palumtur në rrethanat socio-politike që ata jetojnë.

Këto të dhëna lidhen domosdoshmërish me atë që filozofi gjerman e quan liri pozitive të cilën me sa duket nuk e kemi gjetur, dhe të cilën ai e konsideronte si premisë fillestare për ndërtimin e një sistemi (shteti) të lirë dhe të aftë për vet-zhvillim. Dhe krejt kjo duhet të manifestohej përmes aftësisë për të menduar lirshëm dhe për të vepruar si i tillë.

Tani nga ajo që kemi parë deri tani mund të themi se Kosova përpos që nuk është ndërtuar nën këto premisa të lartcekura, ajo dhe është lënë në rrënim që po vazhdon tutje dhe sot.

Tani mund të lind pyetja, a ka shpresë në këto kushte në Kosovë?

Këtë përgjigje më së lehti mund të i përgjigjemi për dëshirën për emigrim që e gjejmë çdo ditë e më shumë brenda nesh, duke mos i ndarë dhe gjeneratat pasi humbja e shpresës po thumbon këtë vend.

A ka humbur më një mënyrë dhe dëshira për të luftuar këtë pushtet korruptiv, unë besoj se po dhe – kjo po ndodh ngase mungesa e reagimit qytetar si në procese elektorale, si në ato të formave tjera demokratike po zbehet vazhdueshëm në këtë vend, dhe jo për atë se nuk ka grupe intelektualësh që mund ta bënin ndryshimin gradual, por më shumë ngase dhe ato grupe nuk reflektojnë shpresën tani.

Tani mund të thuhet se dhe liria të cilën ne e deshëm, ka humbur kuptim ngase varfëria, papunësia, korrupsioni dhe shumë faktor të tjerë kanë bërë që ne të humbim dhe idealet tona mbi të ardhmen.

Dëshira për jetë të dinjitetshme nuk gjendet më këtu, dhe brezi i ri sytë i ka nga pjesa tjetër e botës perëndimore, e cila gradualisht do ta mpij këtë vend dhe ta lejë atë nën mëkatet e saj njerëzore.

E ne do të mbesim të pyesim edhe më tutje veten se si u arrit që në kaq pak vite, nga dëshira për liri nga të tjerët, tani kërkojmë liri nga kastat tona politike që duken se kanë bërë kërdi mbi çdo lloj ideali për një shtet normal që siguron jetë të mirëqenë.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE