DYLON

A ka ardhur koha për ta ndryshuar ose larguar testin e arritshmërisë dhe maturën shtetërore?

A ka ardhur koha për ta ndryshuar ose larguar testin e arritshmërisë dhe maturën shtetërore?
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Fatmir Kastrati

Prej vitesh, testi i arritshmërisë dhe matura shtetërore janë paraqitur si mekanizma për matjen e njohurive të nxënësve dhe për sigurimin e një standardi të përbashkët në sistemin arsimor. Megjithatë, koha ka treguar se këto teste shpesh kanë qenë objekt kontestimesh, pakënaqësish dhe dyshimesh për drejtësinë e tyre. Prandaj, sot shtrohet me të drejtë pyetja: A ka ardhur koha që këto teste të ndryshohen rrënjësisht ose të largohen fare?

EkoHigjiena

Po ashtu, pothuajse çdo vit ka ankesa, dyshime apo debate rreth administrimit, pyetjeve, korrigjimit ose rezultateve të testeve. Në vend që të jenë një instrument që krijon besim, ato shpesh bëhen burim kontestimesh dhe pakënaqësish.

Një alternativë moderne do të ishte kalimi në testim elektronik. Kjo do të rriste transparencën, do të zvogëlonte mundësitë për gabime njerëzore. Duke ia shoqëruar edhe një administrim më të mirë gjatë testimit.

Përveç sfidave në administrim, këto teste paraqesin edhe një barrë për buxhetin e Kosovës. Një model më efikas do të kursente mjete publike, të cilat mund të orientoheshin drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit.

Megjithatë, duhet diskutuar edhe një mundësi tjetër: Largimi i këtyre testeve dhe delegimi i procesit të pranimit tek vetë shkollat e mesme dhe universitetet. Çdo institucion arsimor mund të organizojë testin e vet pranues sipas profileve dhe kërkesave specifike që ka. Në këtë mënyrë do të vlerësoheshin më mirë aftësitë reale të kandidatëve dhe do të shmangej varësia nga një test i vetëm kombëtar. Edhe në këtë rast, monitorimi dhe administrimi rigoroz i gjithë procesit do të ishin të domosdoshëm.

Reformimi i arsimit nuk duhet të ketë frikë nga ndryshimi. Nëse një mekanizëm nuk po arrin të përmbushë qëllimin e tij ose vazhdon të prodhojë pakënaqësi e mosbesim, atëherë është koha të rishikohet seriozisht. Qoftë përmes digjitalizimit, masave rigoroze, qoftë përmes një modeli të ri pranimi, qëllimi duhet të jetë një sistem më i drejtë, më transparent dhe më funksional për nxënësit. /2LONLINE/