(2L ONLINE) – I madh e i vogël që ka shkua në Zhegër të Gjilanit, e u ka premtuar komunë, i ka gëzuar pa masë qytetarët e këtij lokaliteti, të cilët i kanë besuar e u kanë duartrokitur atyre ‘kasnecëve’, që po i quajnë tani edhe mashtrues dhe kanë shprehur entuziazëm në lidhje me këtë. Madje nuk kanë munguar as rastet kur është festuar bukur mirë për një gjë të tillë.
Por, tani gati nëntë vite prej se është ndërmarrë iniciativa e parë për rithemelim të komunës së Zhegrës, shumë prej zhegranëve thonë se kanë prekur me këmbë në tokë dhe e ndjejnë mashtrimin që iu është bërë atyre, si nga niveli lokal, po ashtu edhe ai qendror. Ata e pranojnë se janë mashtruar keq dhe thonë se më kanë hequr dorë nga naiviteti për t’u zënë besë gjithkujt që fjalët “Zhegrën do ta bëjë komunë “, e kanë pas në maje të gjuhës, sa herë që kanë qenë në Zhegër. E vizita të tilla me ikrare se “Zhegra – Komunë, është punë e kryer”, ka pas shumë, e sidomos në prag dhe përgjatë fushatave kur ka pas zgjedhje.
Për më keq, kësaj thonë tani edhe ia kanë parë sherrin sepse Zhegra me fshatrat përreth, jo që nuk po bëhet komunë ende, por ka mbet e anashkaluar kur janë në pyetje investimet dhe është bërë sikur të mos jetë pjesë e Kosovës.
Ruhan Kurteshi, koordinator i Iniciativës Qytetare të Zhegrës (IQZH), për Portalin 2L ONLINE, shpalos kujtimet kur nisën përpjekjet e para për të rithemeluar Zhegrën–Komunë, sepse dikur Zhegra ishte e tillë.
Se sa i përkushtuar ka qenë Kurteshi me shokë në këtë drejtim, flet edhe fakti se po thuajse ai i di përmendsh të gjitha datat kur është vepruar diçka konkrete në këtë drejtim nga qytetarët e kësaj ane, apo edhe rastet e premtimeve, e përhajrimeve që ia kishin bërë politikanë të ndryshëm, pa dallim partie, për Zhegrën – Komunë.
Kurteshi thotë se me 14 prill 2005 ishte themeluar Grupi për themelimin e Zhegrës komunë. Zhegranët të drejtuar nga ky Grup, kishin bërë aktivitete, peticione, kërkesa e angazhime të ndryshme në këtë drejtim dhe se zyrtarisht me një kërkesë, institucioneve përkatëse iu kishin drejtuar në Maj të vitit 2006.
Erdhi koha e u themeluan disa komuna të reja në këtë rajon, por zhegranët ishin në pritje me shpresën e madhe se do të bëhen komunë shumë shpejtë.
Dhe, sipas Kurteshit, ikrari i parë u erdhi zhegranëve në shtator të vitit 2006, nga Lutfi Haziri, atëherë zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal, tani kryetar komune i Gjilanit. Sipas tij, vetëm pritej të zgjidhjes çështje e statusit të vendit dhe pastaj edhe çështja e të bërit Zhegrën komunë është e kryer.
Kosova shpalli pavarësinë e saj, filluan të mbahen zgjedhjet qoftë lokale, qoftë nacionale dhe Zhegra priste politikanë të ndryshëm që “Zhegra do të bëhet komunë”, ju kishte ngjitur atyre për gjuhe. Kjo, sipas Kurteshit ishte bërë kartë e mirë për të gjithë, të cilët sikur edhe garonin kush do të ishte më bindës në këtë.
Ai tha se kjo vazhdoi kështu deri më 14 korrik 2013 kur i erdhi rendi edhe kryeministrit të vendit Hashim Thaçi të vijë në Zhegër dhe ta shpallë atë komunë (pa letra), e disa ditë më pas edhe në qeveri merret një vendim i tillë, por edhe parlamenti duhet ta kryente punën për ndryshimin e ligjit përkatëse që do të mundësonte këtë. Të jetësohet në terren.
Si do që të të bëhet, zhegranët thonë se Zhegra ka mbetur e anashkaluar dhe nuk ka fare frymë zhvillimore në të, pasi mungojnë investimet. Mustafë Jashari, një qytetar zhegran. thotë për 2L ONLINE,se është lodhur nga mashtrimet e politikanëve dhe nuk u beson më atyre asnjë fjalë. Sipas tij, ata e shikojnë vetëm interesin e tyre personal.
Jashari thotë se po mungojnë investimet dhe se Zhegra me fshatrat përreth është lënë shkret. Sipas tij vetëm Zhegra i ka mbi 800 shtëpi e me fshatrat përreth me të cilët mëton të bëhet komunë, i dyfishon ato, por se nuk po e ndjejnë dorën e pushtetit për të mirë.
Përndryshe, edhe Kurteshi edhe Jashari kërkojnë nga komuna e Gjilanit investime në këtë lokalitet, në të gjitha sferat për të bërë më të lehtë e më të mirë jetën e qytetarëve ët kësaj ane, që megjithatë shpresojnë se një ditë do të jenë qytetarë të komunës së Zhegrës dhe me Gjilanin do të jenë komuna fqinjë.
E, kur është në pyetje Zhegra – Komunë, nuk mungojnë as batutat nga ata që janë skeptik e nuk besojnë që Zhegra mund të mbahet a të mbijetojë si komunë. “Zhegra le ti rri gati e le ta paguan myezinin, mos ti ngelë borxh atij, e le ta len komunën”, thonë ata. Por, ata thumbojnë edhe naivët që mendojnë se hapja eventuale e pikës kufitare në Stançiq do të jetë burim për komunë, apo edhe që thirren se e kanë Agim Ramadanin, Xherdan Shaqirin apo ndonjë personalitet tjetër… të tyre, si argumente për të qenë komunë!, e që nuk mungojnë as të tillë. /2L ONLINE/