DYLON

A ishte zgjedhja aksidentale e kryekuvendarit një zgjidhje e qëndrueshme politike apo nevoje e Kurtit për miklim të situatës post-krize?!

A ishte zgjedhja aksidentale e kryekuvendarit një zgjidhje e qëndrueshme politike apo nevoje e Kurtit për miklim të situatës post-krize?!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Isak N. Bilalli

 Zgjidhja e kolapsit në Kuvendin e Kosovës do të duhej të ishte parimisht një lajm i mirë për të mos thënë i gëzueshëm marrë për bazë intervalin kohorë të gjatë ku nuk arrihej të lëviznin gjërat as milimetrikisht në politikën Kosovare. Momentumi i ri politik duket se po jep impulse kundërthënëse dhe nuk po shihet si zgjidhje dhe as zgjedhje e denjë, por pavarësisht ankesave të shumta duket se karvani po ecën. 

EkoHigjiena

Për nga mënyra se si arriti deri tek zgjedhja e Dimal Bashës për kryekuvendar të Kosovës, procesi ngjasonte si shpërfaqje mërish e inatesh të subjekteve politike në të cilin të gjithë parlamentarët pa përjashtim nuk mund të mos jenë të pafajshëm apo të amnistuar nga injoranca politike që shfaqen ne këtë procedurë, ne te cilën do të duhej të ishte një shifrore.

Numri i lartë i seancave të dështuara, dëshmon se sa e brishtë dhe sa ka axhamillëk në klasën politike Kosovare për zgjidhjen e një çështje procedurale ku kërkohet takt në gjetjen e një kompromisi për të ardhur te një zgjidhje e pranueshme ne mënyrë që legjislativi të funksionojë normalisht. Ndodhi ajo qe te gjithë e pame me zë e figurë, por askush nga ky Kuvend i ri  nuk mundi ta shihte apo të ndjente efektin degradues që po i jepte pak nga pak këtij institucioni, sepse symbyllazi po shkohej ne zgjidhje tafti bafti, që në fund qëllimi parësorë mbetej vetëm zgjidhja e ngërçit momental.

Ngërçi momental u zhbllokua por u fitua një de-funksionalizim i vazhdueshëm.    

Koha e dëshmoi se krejt këto vonesa të panevojshme sollën në ulësen e kësaj karrige një kandidature aksidentale që as personi në fjalë nuk e kishte menduar ndonjëherë të ulej ndonjëherë, të paktën jo kësaj radhe.

A duhej të ishte kryeministri në detyrë Kurti kaq kokëfortë e kryeneç duke i rënë me çekiç 50+ herë te njëjtës gozhdë dhe a do të duhej të binte opozita në grackën e inateve për ta quar në Kushtetuese dhe për ta ngatërruar hallakatshëm me pas interpretimin juridik me vendimin politik që duhej ndërmarrë me kohë. Te dyja qëndrojnë pjesërisht, ndaj në këtë mes më i fituari është Kurti i cili arriti qëllimin e tij pavarësisht që e nominuara e tij u be vetëm nënkryetare, ndërsa oponenca që kundërshtoi furishëm Haxhiun arriti te fitoje një emër tjetër që unanimisht trajtohet si jo i denjë për të përfaqësuar shtetin në këtë post të rëndësishëm. Por e njëjta pyetje duhet bërë edhe opozitës se: A duhej të kundërshtohej deri ne skajshmëri në arritjen e një objektivi që nënkupton zhvillimin e një demokracie disfunksionale dhe te ngadalshme në reagim, vetëm pse timonin vazhdon ta ketë Albin Kurti? Çështje tjetër është se a kishte qellim opozita të “aprovonte” Dimalin për të denigruar nivelin e përfaqësimit në nivelet më të larta apo kishte qëllime tjera sepse ka qenë e ditur që kjo figurë ka shfaqur me kohë, shenja të theksuara de-stabilizuese dhe përçarëse. Nuk dua të ndalem në deklarimet e mëhershme dhe në bashkautorësinë e tij në raport me vështrimet dhe analizën që ai e ka publikuar por rëndësi ka që opinioni publik po e trajton si jo-adapt për këtë pozitë drejtuese. Tashmë është më se e qartë, se kjo figure politike nuk është aspak për-bashkuese dhe as që afrohet  të jetë brenda për brenda marxhinave të të qenit minimalisht i pranueshëm. Gjithsesi si rekapitullim i asaj çfarë ka ndodhur mund të thuhet se deri të ardhja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit, skajshmërisht u konsumua koha, faktor që nuk mund të kthehet sepse gjithçka mund të jetë e riparueshme përveç faktorit kohë dhe ne rastin konkret duhet pyetur: A është marrë leksioni i duhur për kohen e humbur dhe se cilat do të duhej të ishin mësimet e nxjerra nga maratona për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës?

Kjo është një teme që rrihet fort ne studiot televizive dhe tani me apo pa dashje duhet të i bashkohemi racionalitetit te analisteve që nëpër studio televizive “etiketojnë” vendimmarrësit për diletantizëm politik të cilët do të duhej t’i vejnë gishtin kokës dhe të bëjnë analizën e mirëfilltë mbi mësimet e nxjerra dhe te reflektojnë mbi rezultatin përfundimtarë. Duke u nisur nga ky rezultat, duhet të ju japim të drejtë opinionistëve dhe qytetarëve të pakënaqur që politik bërësit  dështuan në një mënyrë apo tjetër, dhe gjithçka që u vërtetua katërçipërisht është miopia politike e kësaj kaste të zgjedhurish të cilët në vend se të dëshmojnë se dijnë të marrin vendime të rëndësishme provuan të kundërtën.

Do të duhej te ishim dakord në përfundimin se zgjedhja e krye kuvendarit ishte alternativa zgjidhëse pas refuzimit kundërshtues për gruan më të votuar te VV-së, po që se do të respektohej kriteri i votës apo një lloj meritokracie me bazë kontribut dhënie politike, por qe nuk ndodhi me këtë subjekt qe kishte mandatin të ofronte zgjidhje parimore. Dorëheqja e Liburn Aliut dëshmoi se në VV, nuk respektohet as një lloj kriteri dhe se gjithçka udhëhiqet me dorë të fortë të liderit i cili vendos kokë më vete, se ke duhet t’a shporr me marifet dhe ke t’a mbaj afër vetes.

Në sy të Albin Kurtit, kjo situatë nuk paraqet problem sepse për te mjafton që Kuvendi ka një titullarë. i cili ta drejtoje si ta drejtoje këtë institucion dalëngadalë do mësojë dhe nuk është përfillëse statura publike e Bashës ne te shkuarën sepse për momentin ai i kryen një punë të rëndësishme për te. Duket se zgjedhja aksidentale e krye kuvendarit të Kosovës është një zgjidhje e qëndrueshme politike për VV-në dhe për kryetarin Kurti ndërsa për opinionin publik i pa-pëlqyer, i pa denjë dhe jo meritor. “E qëndrueshme politikisht” për VV-ne sepse praktika ka treguar që filozofia majtiste përdor figura politike pa tagër dhe jo adekuat për pozita te caktuara dhe i përdor qoftë për te fituar kohe ose për t’i zavendësuar në një momentum te ri politik. Ekziston edhe versioni i tretë, që mban të paaftin deri në përfundim te mandatit deri sa ai/ajo të jetë loyal ndaj politikave të partisë dhe nuk devijon nga linja partiake. Sa për ilustrim mund të gjeni raste identike në mos më ekstreme në politiken aktive të majtë në Republikën e Shqipërisë si ne legjislativ  po ashtu edhe në ekzekutiv. Zgjedhja e Gramoz Rucit në krye te Kuvendit, zgjedhja e një numri te madh në legjislativ me rekorde kriminale dhe me identitet dual si dhe emërimi i një numri enorm në poste ministrore të njerëzve me të kaluar dhe të tashme kriminale në Shqipëri na vërteton se majtistet ballkanas shfrytëzojnë resurse njerëzore të dyshimta për të arritur qëllimin politik.  

Dorëheqja e ministrit Liburn Aliu, si çështje parimore e mosrespektimit të rregullit të brendshëm shtëpiak dhe pakënaqësitë e tjera që do të vijojnë me krijimin e qeverisë, do të nxjerrin në sipërfaqe instalimin e një mini-diktaturë të Kurtit që ka filluar me kohë të duket në horizont. Sipas teorisë se deduktimit, fenomenit Aliu herët apo vone do të i bashkohen shumë VV-istë parimore dhe me automatizëm do të krijohet hapësirë për Bashistë të tjerë.

Që parlamenti i Kosovës është shndërruar në mekanizëm që vazhdon të ecë me hapa breshke vërteton edhe mos zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti minoritar shumicë, të cilin akoma nuk po e zgjedhin dot si rezultat i mekanizmit që i mungojnë ingranazhet e duhura për akselerim, objektiva që nuk po arrihen. Zhvillimet me ritëm të ngadaltë në politikën domestike sidomos në dhënien e hapësirës së duhur për komunitetin Serb përkthehet në ngecje në raport me bashkësinë ndërkombëtare, të cilët e ruajnë si domen të veçantë  vlerësimin e përgjithshëm të zhvillimit demokratik të vendit në raport me respektimin kushtetues për minoritet, në të cilin vlerësim Kosova nuk qëndron aty ku duhet.

As Kurti, as Dimali dhe as Parlamentarët nuk janë duke e kryer punën konform një norme që ia kërkon komuniteti ndërkombëtarë të realizojë performancën ashtu si e kërkon demokracia. Ndalesa e BE-së për të takuar qeverinë në detyrë dhe vëzhgimi me kujdes mbi zhvillimet ne Kuvend është një kambanë që bashkësia ndërkombëtare nuk e ka njësi matëse hapjen e urës ndihmëse në Mitrovicë por  funksionimin e rregullt dhe parimore të institucioneve që duhet të kryejnë punën e vet si duhet.

Çfarë po na shohin sytë, kjo legjislature e ka filluar punën duke nxjerr në pah paaftësinë për të kryer punën për të cilën është e mandatuar nga qytetari e për rrjedhoje duket se edhe për vendime nga më të zakonshmet do të vazhdojë të trokas në derë të gjykatës kushtetuese për te gjetur zgjidhje, opsione të cilat i ka para syve por nuk arrin t’i shoh. Një situatë e tillë ndodh sepse matematikisht kuvendi është i ndarë në dysh dhe hendeku i hasmërive mes pozitës dhe opozitës është i madh e për rrjedhoje të gjitha vendimet do të shikohen ne prizmin e hatërmbetjeve dhe inateve të së shkuarës në vend se të shikohet nga e ardhmja.

Me zgjedhjen e Dimalit në krye të Kuvendit është zhbllokuar ngërçi disamujor por ky kuvend është larg të qënit organ funksional në shërbim të zhvillimit dhe stabilitetit politik te qëndrueshëm për të cilën Kosova ka më së shumti nevojë. /2LONLINE/