A ishte 15 marsi ditë e hajnisë së veturave?!fotoilustruese

A ishte 15 marsi ditë e hajnisë së veturave?!

Data e 15 marsit duket të ketë qenë ditë e hajnisë së veturave, pasi hajnat ia kishin mësyrë fshatit Stanishor të Novobërdës, ku caku i tyre kishin qenë kryesisht veturat. Një edhe e kishin vjedhur, në disa raste tjera, kishin dal huq, pasi përpjekjet u kishin mbetur në tentativë, ndërsa në një rast tjetër, kur nuk kanë mundur ta vidhnin veturën, si duket, për të mos mbetur duarthatë, kanë vjedhur instrument muzikor me pajisje tjera përcjellëse.

Nënkolonel Shaban Azizi, zëvendësdrejtor Rajonal në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjilan ka bërë me dije për rastin e parë, kur ankuesi ka raportuar në polici se persona të panjohur, gjatë natës, në oborr të shtëpisë s tij, kishin vjedhur veturën e tij, VW Polo, ngjyrë e zezë, me tabela 625-KS-465. Rasti procedohet në njësinë përkatëse.

“Ndërsa në rasti tjetër, ankuesi kishte raportuar se persona të panjohur kanë tentuar të vjedhin veturën e tij, VW Jeta, ngjyrë e gjelbër me tabela 06-229-BL, por me këtë rast është dëmtuar brava për ndezje të veturës dhe tabela instrumentale”, thotë nënkolonel Azizi. Rasti procedohet në njësinë përkatëse.

Dhe, raportimet në polici nga qytetarët e Stanishorit vazhduan akoma. Kështu raportohet edhe rasti tjetër i tentim të vjedhjes së veturës.

Ankuesi ka raportuar se persona të panjohur kanë tentuar të vjedhin veturën VW Polo ngjyrë e kaltër, me tabela 418-KS-536. Vetura fillimisht ishte vjedhur para shtëpisë me çelësin që ishte në derë, por më vonë është gjetur e braktisur në një rrugë dytësore të fshatit, diku 2-3 Km larg vendit të ngjarjes. Edhe ky rast procedohet në njësinë përkatëse.

Por, rastet në këtë fshat, në këtë ditë marsi, nuk ishin të sosur me kaq, pasi kishte akoma raportime. Kështu, edhe ankuesi i radhës ka raportuar se nga persona të panjohur i është vjedhur instrumenti muzikor “Sintisajzeri”, kutia muzikore, mbajtëset e instrumenteve dhe kabllot në vlerë rreth 2500-3000€, si dhe është tentuar të vidhet edhe vetura Audi A4.

Edhe ky rast procedohet në njësinë përkatëse.

KOMENTE