A ia vlen të jesh mësues në Kosovë??
Shkruan: Murat Mustafa
Kam përfunduar 18 vite shkollim, që nga arsimi fillor deri te studimet universitare dhe specializimet për profesionin e mësuesit.
Pas gjithë këtij investimi në kohë, mund, sakrificë dhe përgatitje të vazhdueshme profesionale, paga e mësuesit është rreth 680 euro. Ndërkohë, një punëtor teknik me 4 vite shkollim paguhet rreth 520 euro. Me respekt të plotë për çdo profesion të ndershëm, por lind pyetja: a është e drejtë dhe normale, që diferenca mes 18 viteve arsimim dhe 4 viteve shkollim të jetë vetëm rreth 160 euro?
Kjo nuk është çështje krahasimi mes profesioneve, por çështje raporti mes investimit në arsim dhe vlerësimit financiar e shoqëror të mësuesit. Kur përgatitja akademike, përgjegjësia për edukimin e brezave dhe puna e vazhdueshme jashtë orarit, me plane mësimore, vlerësime, raporte dhe përgatitje profesionale, nuk shpërblehen proporcionalisht.
Ky sistem po jep një sinjal shumë të gabuar, që studimet e gjata dhe përgjegjësia e madhe nuk kanë peshë reale.
Për vite me radhë është folur për “misionin e mësuesit”, për rolin e tij në ndërtimin e shoqërisë dhe formimin e brezave të rinj. Por realiteti sot është më i hidhur se sa fjalët. Shumë mësues po e braktisin këtë mision. Jo sepse nuk e duan arsimin dhe nxënësit, por sepse kushtet në të cilat punojnë janë bërë gjithnjë e më të vështira dhe shpeshherë të padrejta.
Përveç aspektit financiar, mësuesi sot përballet me presione të shumta. Ai duhet të jetë gjithmonë nën vëzhgim dhe shpesh edhe nën frikë, nga drejtori dhe inspektori, nga prindërit, madje edhe nga politika.
Në vend që të mbështetet dhe të respektohet për rolin që ka, shpeshherë përballet me kritika të padrejta, ofendime dhe bullizim publik. Shto edhe këtë kur disa individë pa përgjegjësi dhe pa bagazh intelektual, dalin dhe sulmojnë mësuesin. Kur e zhvlerësojnë punën e tij dhe e trajtojnë si fajtor për çdo problem të sistemit arsimor, është e kuptueshme që shumë prej tyre ta humbin motivimin.
Askush nuk e braktis një mision që e do, përveç nëse detyrohet. Dhe sot shumë mësues ndihen të detyruar ta bëjnë këtë.
Disa largohen nga profesioni dhe punësohen në fusha të tjera, ndërsa të tjerë zgjedhin emigrimin për të kërkuar një jetë më të dinjitetshme.
Çfarë mesazhi po u japim të rinjve në këtë situatë? Që nuk ia vlen të studiosh gjatë dhe të marrësh mbi supe përgjegjësinë për edukimin e një shoqërie a?Pastaj habitemi pse gjithnjë e më pak të rinj e zgjedhin profesionin e mësuesit dhe pse shumë prej atyre që janë në sistem po mendojnë ta lënë atë.
Nëse një shoqëri e zhvlerëson mësuesin, ajo në fakt po e dëmton të ardhmen e saj. Sepse mësuesi nuk është thjesht një punonjës, por ai është themeli mbi të cilin ndërtohen të gjithë profesionet tjera. Kur ky themel dobësohet, pasojat do t’i ndiejë e gjithë shoqëria.
Prandaj pyetja nuk është vetëm pse mësuesit po e braktisin misionin. Pyetja më e madhe është: a po e braktis shoqëria mësuesin?! /2LONLINE/
