Riad Rashiti
/2L ONLINE/ – Për mosfunksionimin normal të institucioneve komunale tregon edhe pasivizimi i plotë i zyrës së projekteve në komunën e Gjilanit, e cila aktualisht nuk dihet nëse ekziston më apo jo, ndërsa në qeverisjen e kaluar kjo zyre ka qenë një promotor i të gjitha punëve, në përgatitjen dhe hartimin e qindra projekteve të cilat janë realizuar në mandatin e kaluar qeverisës.
Sot qytetarët e Gjilanit apo përfaqësuesit e tyre, nuk kanë asnjë adresë për tu drejtuar me ndonjë kërkesë për hartimin e ndonjë projekti të vogël, sepse kjo zyre e projekteve praktikisht është shuar plotësisht edhe pse jo zyrtarisht, sikurse që është shuar drejtoria e inspeksionit dhe ajo për kulturë, rini dhe sport. Por edhe institucionet komunale janë të hendikepuara në këtë aspekt, në mungesë të hartimit të projekteve sipas nevojave që kanë ato.
Kjo zyre e projekteve edhe pse është mjaft e rëndësishme për punën e mirëfilltë të institucioneve komunale, gjatë vitit 2014 nuk ka raportuar asnjë punë të vetme në hartimin e ndonjë projekti, që do të thotë se nuk ka funksionuar fare dhe të gjitha punët të cilat janë realizuar nga komuna dhe që janë në realizim, janë projektuar nga qeverisja e kaluar në Gjilan.
Mosfunskionimi fare i kësaj zyre nuk do të vërehet edhe për një kohë, si rezultat i punës së madhe të cilën e kanë bërë ish-drejtuesit e këtij sektori në komunë, dhe të cilët kanë përgatitur qindra projekte të rëndësishme për qytetarët dhe komunën.
Por, tani fatkeqësisht nuk ka asnjë lëvizje pozitive nga kjo qeverisje në drejtim të përgatitjes dhe hartimit të projekteve madhore për Gjilanin, pa të cilat projekte as nuk mund të aplikohet në asnjë fond për financim të tyre.
Ndërsa, në vazhdimësi kemi fjalë të jashtëzakonshme nga kjo qeverisje se cilat projekte do të realizohen, por konkretisht nuk kanë asnjë projekt në letër për to.
Dështimet e qeverisje lokale për çdo ditë e më shumë po dalin në dritë, ku po dëshmohet paaftësia e udhëheqjes së pushtetit lokal, joserioziteti në punë dhe mos angazhimi i të zgjedhurve të kryetarit të komunës së Gjilanit. /2L ONLINE/
/autori është anëtar i KK Gjilan nga radhët e PDK-së/