A e nisi Arbër Ismajli “fushatën” për kryetar komune?!

A e nisi Arbër Ismajli “fushatën” për kryetar komune?!

Data e saktë e zgjedhjeve lokale ende nuk është caktuar, por ato pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti. Lidhja Demokratike  e Kosovës (LDK), Dega në Gjilan ende nuk e ka përcaktuar kandidatin me të cilin do të garojë në këtë garë, por njëri ndër emrat më të përfolur është ai i Arbër Ismajlit, aktualisht nënkryetar komune.

Ismajli sot ka zhvilluar disa takime në nëndegë të ndryshme të LDK-së dhe duke iu referuar se takime të tilla janë paraparë, nga ana e tij, edhe nëpër nëndegë të tjera, kjo mund të përkthehet, se ai e ka marrë vizën nga subjekti i tij për t’i hyrë kësaj  gare dhe takime të tilla nëpër nëndegë, mund të kuptohen, në njëfarë mënyre, si zyrtarizim të kandidaturës, nismë e mobilizimit dhe e sigurimit të përkrahjes, fillimisht nga strukturat e partisë, para se të dilet të kërkohet mbështetje edhe nga qytetarët tjerë apartiakë, apo edhe pjesë të partive tjera.

Sidoqoftë, në LDK, janë akoma të rezervuar për të zyrtarizuar kandidaturë, ndërkohë që vet Arbër Ismajli ditë më parë kishte deklaruar se: ”Është postulat i demokracisë se një proces ngritët nga kohezioni njerëzve që i bashkon ideja dhe programi, andaj vetëm ata që kanë këto bindje në respektimin e vlerës, ngritën mbi interesat e veta, duke shprehur gatishmërinë e pranimit se një përzgjedhje e mirë, është ne interesin e të gjithëve!”.

Për takimet e ditës së sotme nëpër nëndegë, Ismajli ka bërë me dije se sonte, bashkë me kolegët e kryesisë kanë bashkëbiseduar me kryesitë e nëndegëve Zhegër, Haxhaj, Demiraj, e Shurdhan, për organizimin e brendshëm të LDK-së dhe konsulidimin e brendshëm të skuadrës fituese për një kandidat të ardhshëm për kryetar dhe kandidatët më të mirë për asamble të cilët do të përmbushin pritshmëritë dhe gatishmërinë për arritjen e rezultateve sa më të suksesshme për vazhdimin e qeverisjes lokale edhe për një mandat.

“Do të vazhdojmë takimet me strukturat e partisë, nëndegët, aktivistët e qytetarët për të qenë të gatshëm për një proces i cili garanton siguri dhe vendosmëri për t’iu prirë proceseve”, ka thënë Ismajli.

Përndryshe, ndonëse kjo mund të jetë shpërfaqje e hapur nga ana e Arbër Ismajlit, e kandidaturës për kryetar komune, megjithatë nuk pritet të shkojë larg dhe LDK-ja e Gjilanit, përkatësisht i pari i saj në Gjilan, njëherësh edhe kryetar komune, Lutfi Haziri do të deklarohet, ose do të duhej të deklarohej, për ta thënë publikisht emrin, të cilin emër, në rend të parë e presin vetë strukturat e LDK-së, por edhe të tjerët.  /2LONLINE.com/

KOMENTE