Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Avni Kastrati ka thënë se nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve të 1 dhjetorit. Ai ka thënë se në këtë komunë duhet të përsëriten zgjedhjet meqë, sipas tij, ka pasur manipulim të votave.
Kastrati ka treguar se për këto parregullsi kanë bërë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). “Në zgjedhjet e 1 dhjetorit ka pasur fletëvotime false që kanë ndikuar në rezultat, bile dukshëm kanë ndikuar në rezultat, sepse është përdorur sistemi i ‘Trenit bullgar’. Ne kemi bërë ankesë në afatin ligjor në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që të përsëriten zgjedhjet në Mitrovicë”, ka thënë Kastrati.
Ai ka thënë se kur të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike, atëherë mund ta pranojnë rezultatin. “Aktualisht jo”, ka thënë për “Epokën e re” Kastrati.
Ai ka thënë se pas këtij manipulimi të votave, Komuna e Mitrovicës duhet të shkojë në rivotim. “Duke i marrë parasysh faktet, jam shumë i sigurt se Komuna e Mitrovicës do të shkojë në rivotim. Është zbuluar fletëvotimi fals dhe kjo flet shumë”, ka thënë Kastrati.
I pyetur se, a mjafton vetëm ky fakt që Mitrovica të shkojë në rivotim, Kastrati ka thënë se kjo është vetëm njëra prej dëshmive të mjaftueshme për t’u përsëritur zgjedhjet në Mitrovicë. “Unë mendoj se po. Kjo duhet të bëhet duke e zbatuar ligjin”, ka thënë Kastrati.
Ai ka kërkuar nga PZAP-ja dhe KQZ-ja që qytetarëve të Mitrovicës t’ju mundësohet dalja e sërishme në zgjedhje. “Duhet sjell vendimin që të na mundësojnë të dalim në rivotim”, ka thënë Kastrati, duke përsëritur se manipulimet e votave kanë ndikuar në përmbysjen e thellë të rezultatit të arritur në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Në anën tjetër, Fituesi i zgjedhjeve të 1 dhjetorit, Agim Bahtiri ka reaguar ndaj kërkesës së ish-kundërkandidatit të tij, Avni Kastrati që Mitrovica e Jugut të shkojë në rivotim. Agim Bahtiri ka thënë për “Epokën e re” se nëse përsëriten zgjedhjet, ai nuk do t’i hyjë për herë të dytë garës për kryetar të Mitrovicës.
Ai ka mohuar se ka pasur keqpërdorim të votave. “Procesi zgjedhor nuk ka qenë i keq. Vetëm një fletëvotim ka qenë i falsifikuar dhe në rastin që jemi njoftuar për këtë, ne si AKR e kemi paraqitur në prokurori. AKR-ja ka pasur një kandidat që ka qenë më i pasuri nga të gjithë në këto gjëra. Ju betohem se asnjë cent nuk e kam dhenë për të manipuluar votën. Zgjedhja ime për kryetar, ka qenë dëshirë e popullit dhe nuk ka asnjë shans që të jetë e përlyer AKR-ja, ashtu siç po flasin. Dihet se kush vjedh vota”, ka thënë Bahtiri.
Ai e ka vlerësuar të pabazë kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve në Mitrovicën e Jugut.
“Absolutisht jo. Në qoftë se ata kanë njerëz të fuqishëm që të përsëritet votimi, unë do ta bojkotoj garën dhe më nuk do të kandidoj. Nuk kam kohë që të merrem me këso gjërash, sepse sovrani ka folur njëherë. Unë kam ardhur t’i ndihmoj këtij populli dhe nuk do të merrem me këto gjëra”, ka deklaruar Bahtiri, duke shtuar se PZAP-i nuk ka asnjë arsye që të marrë vendim për të shkuar në rivotim. “Nuk ka asnjë arsye që PZAP-i të sjellë një vendim të tillë.
Një fletëvotim është dhe ne atë e kemi paraqitur, sepse nuk ka qenë prej neve. Nuk e dimë prej kujt ka ardhur. Nëse ka qenë prej dikujt, atëherë dihet se më së paku ka qenë prej neve. Në rast se ndikojnë në PZAP organet e fuqishme politike që të merret vendimi për rivotim, atëherë Agim Bahtiri nuk do të kandidojë kurrë hiq më”, ka thënë Bahtiri.