/2L ONLINE/ – Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ku pritej të diskutohej për arsimin nuk ishte mbajtur për shkak të mungesë së pozitës. Për Nevzad Isufin e Lëvizjes Vetëvendosje ky bojkot i pozitës ishte i paarsyeshëm për faktin se ishin respektuar procedurat ligjore dhe do të duhej të mbahej seanca, por se, siç thotë ai, po shihet edhe njëherë se pozita është e shurdhtë gjithnjë ndaj propozimeve të opozitës, edhe pse ato janë propozime të arsyeshme.
“Është vërtetuar se çfarëdo propozimi dhe sa do i arsyeshëm të jetë ai, për partinë në pushtet është i papranueshëm vetëm se vjen nga opozita. Kjo është një qasje tejet e gabuar e pushtetit,që dëmton rëndë interesat e qytetarëve, jo vetëm ata që përfaqëson opozita, por edhe ata që përfaqëson ajo vet”, ka thënë Isufi.
I pyetur nga Portali 2L ONLINE, se a do të ketë kundërpërgjigje nga opozita, Isufi, që është edhe Shef i grupit të Këshilltarëve të Vetëvendosjes, tha se ata nuk do të veprojnë me inate, por do të konsultohen edhe me pjesën tjetër të opozitës, por se gjithsesi do të jenë pjesë e seancave ku do të ketë çështje që janë në interes të qytetarëve.
Por, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e aplikimit të formave tjera të ndryshme që mund të jenë presion mbi pozitën, për ta zbatuar ajo ligjin dhe për të respektuar opozitën, kërkesat e arsyeshme të saja.
Duke iu referuar asaj se nga Vetëvendosje, nuk vlerësohet puna as e kryetarit të komunës, as e kryesueses, as e drejtorëve të drejtorive komunale a të tjerëve në pushtet. Nevzad Isufi, e Fehmi Sylejmani, anëtarë të Vetëvendosjes në Kuvend, iu kanë përgjigjur me buzëqeshje, pyetjes se a mund të pritën vezë në drejtim të pushtetarëve në Gjilan.
Fehmi Sylejmani, ka thënë për 2LONLINE, se Vetëvendosje ëshët Lëvizje e cila përveq veprimeve të saja brenda institucionit i ka edhe ato jashta tyre, si aksione të ndryshme dhe performanca, por pa precizuar se a do të ketë aksione të tilla me vezë.
Gjithsesi seanca e radhës që do të ftohet do të nxjerrë në pah edhe reagimin opozitar, pas dështimit të seancës së fundit të ftuar nga opozita, për mosprani të këshilltarëve pozitë, e që sipas Vetëvendosjes, ishte bojkot i pastër dhe veprime të sinkronizuara të pozitës, e cila mendon se qenka e vetmja ajo që po përcaktuaka rendin e ditës së Kuvendit, pasi për ta nuk është me rëndësi çështja-përmbajtja, por forma. /2L ONLINE/