/2L ONLINE/ – Panairi i Librit ishte traditë në Gjilan të mbahej në fillim të tetorit. Vitin e kaluar u mbajt në fillim të korrikut, me shpresë se do t’i gjendet një kohë e qëlluar e mbajtjes. Nuk di si dhe pse u zhvendos në fillim të korrikut por shpresova se do të caktohet koha që është e favorshme për shpërndarjen dhe shitjen e librit. Tani kaloi koha tradicionale e mbajtjes së panairit dhe me sa duket nuk ka kurrfarë shprese edhe të mbahet më fare.
Panairin zakonisht e organizonin të gjithë të komunës dhe në këtë nuk di detalisht si shkonte kjo punë sepse nuk kam qenë kurrë nëpunës shteti. Me sa duket mbajtja e panairit ka pengesë nga lart a nga Qendra në ministritë përkatëse për këtë. Sa më njoftuan disa përgjegjës për këtë, nuk ka më të drejtë ta organizojë panairin askush nga komuna e me buxhet të komunës!?
Mund të merret një iniciativë e Shtëpive Botuese si më thanë disa përgjegjës të mëparshëm në bisedë të lirë me kafe, -të bëjnë një kërkesë, a luje, a ofertë, a të qarë, që nuk di tek kush, që të lejohet të mbahet panairi. Njëherë të lejohet, e mandej të shqyrtohen mundësitë e mbajtjes së panairit.
Treva jonë është trevë bujqësore, me dikend të familjes zakonisht në administratë komunale, e ndonjë tjetër në perëndim. Kur bisedohet këtu tek ne, pyetet e përgjegjet, ka tri pyetje që ia bëjnë bashkëbiseduesit njëri tjetrit: për mbjelljet e për bagëtinë, për rrogën nga adminisitrata, për një apo më shumë, si dhe për mërgimtarin në perëndim a në lindje.
Të hapësh biseda në mesin tonë për kulturë, art, sport, botime, nuk ka vlerë as prestigj. Këto tema konsiderohen të ulëta dhe konsiderohet menjëherë se personi që i përmendë, është një skamnor e bjerrakohës. Për këto nuk mendon kush përgjegjës e që kryen punë, as ka kjo punë më ndonjë vlerë a çmim.
Nuk kanë vlerë këto fare dhe as merret kush me to. Në të vërtetë ka në administratë që ndokush merr edhe rrogë për këto tema e lëmi, por rrogën e merr vetëm sa për ta marrë në fillim të muajit, sepse shteti e jep një rrogë edhe për këto dhe kur shteti e jep, pse mos ta marr ai që rrin aty për të.
Kështu kultura nuk ka vend as rend askund dhe të merresh më me kulturë, art e sport është për këtë mjedis një humbje kohe dhe punë amatorësh.
Më ndodhi kështu, kur ishte Kampionati i Shahut në Gjakovë, e kur e kishim edhe ne një përfaqësim me shahistë të Klubit të Shahut të Gjilanit; -që është vetëm punë vullnetare, me klub të paregjistruar kund; sepse nuk ka mundësi as të regjistrohet, se nuk ka asgjë…
Kështu ndodhi, për këta shahistë tanë që merrnin pjesë në Kampionatin Europian që po mbahej në Gjakovë; -ku kishim edhe një përfaqësues të mrekullueshëm, kampion për të rinjë të Kosovës, e të cilin e futëm në Kampionat me të njofshëm e me hargjime si mundëm, sepse kampionati zgjati dy javë…E ku kishim edhe disa të tjerë pjesëmarrës të klubit tonë!…
Kështu ndodhi, që kërkuam unë e ky kampioni nga komuna të ndihmonin kampionin tonë të ri dhe të tjerët me euro përsa kohë duheshin të bënin gara në Gjakovë; por që ata me rend u habitën se si ka mundësi që diçka e tillë të mbahej në Kosovë dhe në Gjakovë!?! Mbetëm të dyshimtë paksa, se mos kërkonim euro veç sa për ti marrë, hajt, pa qenë e vërtetë ajo që ua tamë! Nuk dinin se çfarë turniri ishte ai, por që ishte Kampionat Europian nuk besonin. Po hajt!…
Po tema ishte te Panairi i Librit… Te ky panair, që ishte sadopak një humanizim dhe kulturizim për kohën plot vrazhdësi që sa vinte e stërkeqej pas luftës. Nuk është mirë që në vend të falënderimit të kultivohet përbuzja, sepse përbuzja e mospërfillja nuk janë kulturë por janë kundër kulturës. Është vështirë ndërkaq të hysh dikund e të flasësh kështu diçka e disi, sepse ata përgjegjësit të punësuar familjarisht kudo, të konsiderojnë menjëherë se u ke hyrë në familje dhe në konak.
Kjo puna e shtetit, tani që është privatizuar me familje gjithkund, është bërë punë private e atyre që punojnë me rrogë dhe të flasësh a të kërkosh diçka që nuk ua ka ënda atyre, konsiderohet menjëherë thyerje e ligjit të së drejtës mbi pronën. Nuk ishte çështja se po bëhej fjalë për një panair libri, a për një kampionat europian këtu te ne, a për një zë të arsyes për gjëra të përgjithshme të kombit. Çështja të kuptohet menjëherë si përzierje në punë private dhe me një dozë të sulmit mbi pronën private. –Lee’ këtë punë krejt!…
Puna në administratë, bujqësi në katund dhe një a më shumë të familjes në mërgim, -kjo është për temë të bisedës a shqyrtimit këtu e këndej. -Po qytetarët, që nuk kanë asnjërën? Që uk kanë as tokë, as bagëti, as mërgimtar? Si t’ia bëjnë qytetarët e mjerë, që çohen në mëngjes, e nuk dijnë çka të bëjnë, as kah t’ia mbajnë, -sepse as nuk kanë punësim, as tokë, -sepse janë në qytet dhe sepse vendet e punës në qytet e komunë ua zunë nga katundet dhe nga kahmosi?!
Veç ndonjë zeje, rrotullim ekstrem, a shverc, a ndërmjetësim, tjetër nuk kanë! Si të arrihet tek paraja, që duhet për jetesë e për mbajtje të familjes, po para këtyre, për të paguar taksat komunale! Nuk ke punë, nuk ke kah ta nxjerrësh paranë, -muaji shkon, -e ti qytetar i ri a i hershëm, që s’ke bërë eurot për taksa, në fund a në fillim të muajit rregullisht të vjen tek dera taksapaguesi dhe të kërkon eurot për borgjin, që je banor dhe që ke shtëpi në rreth të komunës. Që ke hargjuar fundifundit dhe në këtë nuk ka bisedë. –“Pa diskutim” si thoshte Enveri!
Nuk ka bisedë tjetër, veçse pagesës me çdo kusht, të përgjegjësisë nga borgji i shkruar rregulisht, “pa diskutim” ,e si i ke punët, e hallet!…
Kështu e në këtë, edhe Panairi i Librit, është tanimë, një ngarendje e frikshme e librashitësve e shpërndarësve të librit, pas shpresës se do të bëhet “panair”, e do të shitet diçka, -për të bërë diçka, për të zbritur e zvogëluar borgjet dhe rritur mundësitë për mbijetesë. Shpresa se do të niset njëherë kjo punë e mirë zgjatë pambarim dhe ata që shpresojnë janë plot energji, -jo se kanë energji nga të mirat e punët që u shkojnë mirë, por ngaqë shpresojnë në këtë.
Panairi është një shansë dhe mundësi shumë e madhe që sëpaku njëherë në vit të bëhet do shitje e mirë dhe që nga fitimi ky të drejtohen shumë punë e të shpresohet që borgjet të zvogëlohen dhe të mblidhen pak euro, që dimri që po vjen të kalohet më lehtë. Unë vetë, pasi jam vetë librashitës kohë të gjatë, di dhe kujtoj, kur nga shitja në Panair të Librit në Gjilan mblidhja rreth dymijë euro dhe me këto e siguroja dimrin, -por tanimë kjo nuk ndodhë më.
Një tjetër të mirë q ka pasur Panairi i Gjilanit, ka qenë “pjesëmarrja falas” në shitje dhe shpërndarje dhe koha prej katër ditësh, që ishte kohë solide për shitje. Ishte në fillim të tetorit, kur nuk ka mërgimtarë dhe me ta as euro, porse bëhej megjithkëtë një shitje, shpërndarje dhe ndërrim i librave nëmes neve shitësve dhe kjo kështu sille shumë të mira, por edhe do euro të mira për deri në pranverë.
Vetëm Panairi i Librit në Gjilan pra ishte falas, se gjithë panairet tjerë nëpër trevat tona nëpër kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, Diasporë, -të gjithë ishin dhe janë me pagesë, edhe këtë, të lartë. Kështu ky panairi i jonë ishte më i dashuri tek librashitësit dhe qyteti ynë e ana jonë ishte në sy të mirë tek të gjithë njerëzit tanë të të gjitha trevave, për bujari, njerëzi, po edhe atdhetari!
Tani, që ndryshuan rregullat dhe kompetencat, që nuk ka më organizim dhe mbajtje si më parë, -që nuk kuptoj kujtë ia zuri rrugën se, -tani me sa po duket, as panair nuk do të ketë më. Kështu, librashitësit ranë edhe më poshtë se që ishin dhe varfëria i shtytë dhunshëm që ta lënë këtë zanat krejt.
Anise zanatet po janë të qytetarëve, që nuk kanë tokë as mal, “asgjë mbi krye”, veçse shtëpive a banesave me e pa oborr, -po ja edhe ky zanati i shitjes e shpërndarjes së librit që i ngjallte paksa, u shua, sa i përket mundësisë së punës dhe fitimit. Përndryshe ka panaire që mbahen dhe do të mbahen edhe tutje, dhe me shumë pompozë e lavde, e me përmendje të heronjëve e Ditëve të Lavdishme të Kombit, porqë pjesëmarrja në to është rreth 500 euro, veç ushqimit e fjetjes -pushimit për katër e më shumë ditë!
Ishte panair i qëlluar, i dashur dhe i hijshëm ky panairi i qytetit tonë, përsa ishte e ashtu si ishte, -e që, me sa po duket, nuk do të jetë më. Korriku shkoi, tetori po shkon pa lajm a zë për të dhe kjo do të thotë se nuk ka më panair, sëpaku kështu e ashtu si ishte.
Unë u mundova para dy viteve tek përgjegjësit,…që panairi të mbahej ndryshe; të mbahej në fund të korrikut a në fund të dhjetorit, -kur vijnë bashkatdhetarët tanë në pushime, e kur ka mundësi shitjeje shumë të mirë, -por kjo ofertë me arsye nuk u përfill nga përgjegjësit. Pashë që atëherë se ishin të lodhur nga panairi dhe nuk u bisedohej fare për të. -Lee’ krejt këtë punë!…
Sa për vete, unë kam bërë një zgjidhje për librat: e kam tanimë në hyrje të kafiterisë tek Ndërtesa e PDK –së, librarinë, e me këtë nuk kam më nevojë të dal më në rrugë, -në vapë, në shi e në borë. –U shit sa u shit, -u shpërnda sa u shpërnda, -librat më nuk i ngarkoj e shkarkoj, as paloj e shpaloj, -andej e këndej, dyfish.As kam dro se po thahen, se po lagen, a po ngrihen.
Ka që vijnë e blejnë, por më shumë ka që vijnë e lexojnë! Të drejtën ta them, më shumë kam tani kënaqësi që vijnë e lexojnë, me orë të tëra, -se kur shiten! Pasi mbaj edhe zyrën e Degës së ish të burgosurve politikë përmbi librari, në librari kam vënë në mur një njoftim, ku shkruan se librat janë të Degës së SHBPK –së dhe se janë në lexim, -porqë ndokush që don të blej, mund edhe të blej; -do të jetë një kontribut për Shoqatën –Degën tonë në Gjilan. /2L ONLINE/