Mbrojtësi kosovar Armend Dallku po e mendon seriozisht largimin nga ekipi kuqezi, me qëllim që të mund t’u lërë më shumë hapësira lojtarëve më të rinj. Gjithsesi, 30-vjeçari pohon se vendimin përfundimtar do ta marrë pas përfundimit të këtyre eliminatoreve.
Mbrojtësi luan prej nëntë vjetësh me Kombëtaren, por kohët e fundit, nisur edhe nga loja gjithnjë e në rënie, vendi i tij në skuadër është rrezikuar ndjeshëm. Madje, në ndeshjen kundër Islandës, ai ishte një ndër lojtarët më të dobët në fushën e lojës.
“Pasi të përfundojë ky cikël, të gjithë do të ulemi për të analizuar ecurinë e skuadrës. Po ashtu, unë do të flas me kolegët, trajnerin dhe me krerët e Federatës, prej të cilëve dua të mësoj se a u nevojitet ende kontributi im apo jo. Pas kësaj do të marr një vendim përfundimtar. Unë konsideroj se nuk ia vlen të udhëtoj nga Ukraina për të zhvilluar nga pesë apo dhjetë minuta lojë. Realisht, kjo nuk është një gjë e mirë për mua, prandaj do të isha i gatshëm të tërhiqem, sepse tashmë jam 30-vjeçar, dhe t’i lija hapësirë ndonjë lojtari të ri e me perspektivë”, pohoi Dallku për gazetën sportive Arena,