/2L ONLINE/ – Dy këshilltarët ligjor të Zyrës Rajonale të Institucionit të Avokatit të Popullit, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Gjilan, mund të mbesin në rrugë, pasi tani më po i ofrohet afati që ua ka dhënë atyre kryetari i Komunës Lutfi Haziri-Luta, për t’i liruar zyrat ku aktualisht ata veprojnë.
Portali 2LONLINE, ka mësuar se ka kohë që atyre iu është dorëzuar një shkresë me të cilën njoftohen se duhet t’i lirojnë dy zyre, aq sa i kanë në shfrytëzim, në objektin ku ndodhet selia e kryetarit të komunës, disa drejtori, zyra dhe shërbime tjera të komunës, dhe se afati i fundit për të liruar këtë hapësirë është 30 shtatori.
Mësohet se në shkresë vetëm u tregohet arsyeja se komunës po iu duhet hapësirë për të vendosur nëpunësit civil të saj dhe se për ta është e pakuptimtë që një numër i OJQ-ve të jenë të vendosura në objektet e komunës, ndërkohë që shërbimet e saja të mbesin jashtë, ndërkohë që nuk flitet për zgjidhje që mund t’iu bëhet këtij Institucioni.
Por, mësohet se sipas ligjit për Avokatin e Popullit, komunat janë të obliguara të sigurojnë hapësira për Zyrat Rajonale të këtij Institucioni, që në këtë rast kur është në pyetje Gjilani po bëhet vetëm e kundërta, po kërkohet që ky institucion të largohet nga zyrat aktuale, por pa pasur alternativë tjetër mbi sistemimin e tyre.
Shih, për këtë, mësohet se edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, iu është adresuar kreut të komunës, për më tepër ai ka kërkuar mundësinë e takimit, që sipas rrethanave të tanishme zor të ndodh ai takim. Po ashtu mësohet se në lidhje me këtë është e njoftuar edhe OSBE, Zyra Rajonale, e cila e ka ngritur këtë çështje në nivel më të lartë dhe pritet të shihet se çfarë do të ndodh brenda këtyre dy javëve deri në skadim të afatit.
A do të mbetet “Avokati i Popullit”, në Gjilan në rrugë apo brenda kësaj periudhe do të bëhet një zgjidhje për ta, qoftë të mos “ngucen”, nga aty ku janë, apo të sistemohen gjetiu, mbetet të shihet. /2L ONLINE/