A dimë mjaftueshëm rreth antibiotikëve?
Shkruan: Manushaqe Latifi- rotaraktore
A dimë mjaftueshëm rreth antibiotikëve? Themi se jo,prandaj edhe erdhi ideja që të mbahet një debat i llojit të këtillë. Dhe këtë e vërtetuam nga pjesëmarrësit në debat të cilët e mirëpritën ligjëratën. Duke u nisur nga ajo se është një dukuri globale që po ndikon edhe në vendin tonë,gjegjësisht tek qytetarët ishte e arsyeshme realizimi i kësaj ngjarje që të njoftohet publiku më shumë rreth saj.
Debati me temën “Keqpërdorimi i antibiotikëve” është organizuar nga Rotaract Club “Anamorava” që pati si qëllim vetëdijesimin e qytetarëve rreth kësaj dukurie që specialist të kësaj fushe e shohin këtë si dukuri negative. Prezantimi rreth asaj se cka është,kur duhet e kur nuk duhet të merren antibiotikët u bë nga tre panelistët e të cilët ishin: Msr.Ph.Elinë Sylaj – Farmaciste, Dr.Zijadin Hasani – Pediatër dhe Dr.Donika Iliazi-Shahiqi – Stomatologe.
Një fjalë rasti i’u dha mentorit të të rinjëve rotaraktorë rotarianit Muhamet Halili si dhe kryetarit të të rinjëve rotaraktorit Ilmi Hajdinit të cilët I falënderuan panelistët si dhe pjesëmarrësit për ta bërë këtë debat më frytdhënës.
Muhamet Halili tha se rotarianët janë të udhëhequr me urtësinë e Testit 4 Kahësh. pasi është në besimin tonë që ky Test bashkon rotarianët duke promovuar të vërtetën, të drejtën, vullnetin dhe shoqërimin më të mirë, dhe dobinë për të gjithë.
“Ditë më parë rotarianët anembanë botës shënuan 111 vjetorin e themelimit. Janë pothuajse rreth 40 mijë klube në më se 200 shtete me mbi 1 milion 200 mijë rortarian. dhe me vije mirë që edhe rotaraktorët në njëfarë mënyre me këtë aktivitet po bëhen pjesë e të gjitha atyre aktiviteteve që këto ditë i kanë bërë rotarianët kudo në botë në nderë të këtij përvjetori. Vlerësojmë edhe panelistët që sot kanë ndarë kohën e tyre të çmuar për të ndarë me ju, me ligjërimet e tyre në temën e caktuar”, ka thënë Halili.
Edhe rotarakti Ilmi Hajdini tha se me vetë faktin që kemi një prani të madhe në ktë debat duket të ketë qenë ide e mirë dhe temë e mirë, për të premtuar se aktivitete të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Mr.Ph Elinë Sylaj në fjalë ne saj tha se gjendja e shëndetësisë në Kosovë nuk është në nivelin e duhur prandaj edhe jemi këtu që të rrisim vetëdijesimin për antiobiotikët”. Në prezantimin e saj Sylaj informoi publikun rreth antibiotikëve, përdorimit të tyre dhe efekteve anësore. Ajo shtoi se u nis me këtë ide të debatit ngase ballafaqohet çdo ditë me qytetarët që i kërkojnë kapsula “kuq e zi” ky emër për penecilinë pa përshkrimin e mjekut gjë e cila sipas saj dhe panelistëve tjerë nuk është në rregull.
Antibiotikët janë një grup i barnave që përdoren për trajtimin e infeksioneve mikrobiale (bakteriale dhe disa infeksione parazitare). Shpesh herë quhen antibacterial ose antimikrobik.
Ajo gjithashtu bëri të ditur se përdorimi jo i rregullt i tyre dërgon në probleme më të mëdha duke dëmtuar organizmin dhe më e keqja duke krijuar rezistencë të bakterieve ndaj antibiotikut.
Kur nuk përdoren dhe si? Nuk përdoren kur kemi infeksione virale ose fungale (kerpudhave)
Gjithashtu kur kemi grip nuk guxon të përdorim antibiotikun. Antibiotikët nëse jepen për përdorim për ditë të caktuar ato duhet të përdoren saktësisht aq ditë, në mënyrë që të arrin efektin e duhur. Po ashtu në rast kur harroni të pini në orar të caktuar nuk duhet t’i pini dy në orarin tjetër.
Cilat janë efektet anësore? Efektet anësore varen prej grupit të antibiotikëve. Antibiotikët më të sigurt të cilët mund të ordinohen edhe te gratë shtatzëna janë penicilinat dhe cefalosporinat. Përdorimin e tyre gjithmonë e përshkruan mjeku në bazë të gjendjes së pacientit. Pacienti duhet ti përdor sipas udhëzimeve për të pasur rezultat dhe që t’iu ikë efekteve anësore të mundshme si rezultat I pakujdesisë. Assesi nuk duhet t’i përdorim pa konsultimet me mjekun,tha ndër tjerash Elinë Sylaj.
Duke e ditur që një papërgjegjësi e tillë adresohet në shumë vende,dr.Zijadin Hasani panelisti tjetër tha se nuk bënë përjashtim as Kosova. ka raste kur doktorët shkruajnë antibiotikë pa qenë nevoja që ato të përdoren,farmacistët i japin ato pa përshkrimin e mjekut por edhe qytetarët punojnë “krye në veti”, Duhet të punojmë rreth kësaj dukurie gjithë së bashku që t’i shmangim gabimet dhe pasojat.
Duhet të bazohemi në prova “In Vitro” që tu jipet antibiotiku pacientëve, ngase duhet pasur kujdes që mos t’i shkatërrojmë edhe ato bakterie që ndihmojnë në tretje. Shkatërrimi i tyre mundësohet nga përdorimi jo i drejtë. Pra, ka bakterie që nuk duhet t’i largojmë nga trupi, ato ndihmojnë në funksionimin e tij,shtoi më tej dr Hasani.
Panelistja e radhës stomatologia dr.Donika Iljazi Shahiqi tha se me dëshirë iu ka bashkangjitur ftesës për të treguar rëndësinë e antibiotikëve edhe në fushën ku ajo i përket. Në krahasim me mjekët e përgjithshëm të cilët rekomandojnë apo përshkruajnë antibiotikët stomatologët kanë një përqindje më të vogël. 7% deri 11% e antibiotikëve ordinohen nga stomatologët por kjo nëse shndërrohet në numra del të jetë me miliona. Që do të thotë një numër i madh i pacientëve pësojnë nëse nuk është përshkrimi i duhur i doktorëve dhe mos përdorimi i drejtë nga pacientët. Kjo dukuri nuk është brengosëse vetëm për Kosovën por tha se është një dukuri negative globale.
Pra, dhënia e tyre jo e rregullt do të ketë pasojat e veta që jo gjithmonë mund të evitohen lehtësisht.
Ajo gjithashtu tregoi rastet kur problemi mund të evitohet me metoda të tjera dhe përshkrimi i antibiotikëve nuk është i nevojshëm mirëpo shumë stomatologë në shumë vende të botës i përshkruajnë ato pa nevojë pikërisht në këto raste. Disa këshilla tjera që dha doktoresha ishin rreth rezistencës së antibiotikëve dhe se si mund ta evitojmë atë. Nuk duhet përdorur antibiotikë pa qenë i përshkruar nga mjeku, sepse ne nuk e dimë a kemi nevojë apo jo për barin e caktuar si dhe përdorimin e rregullt të tij, tha ajo.
Më poshtë po I paraqes disa nga pyetjet,komentet dhe përgjigjet të bëra në pjesën e diskutimeve.
1) Marigona Zubaku- Përgëzime për ligjëratën,unë mendoj se nuk cilësohet një doktor i mirë nëse të përshkruan një qese me barna, prandaj edhe s’duhet të habitemi nëse ata nuk përshkruajnë antibiotikë kur qytetarët pohojnë se duhet.
2) Fatlum Agushi-Student: Çka duhet të bëjmë nëse jemi alergjik në antibiotikë?
Duhet gjithsesi të drejtohemi tek ambulanca familjare për udhëzimet e mjekut.
3)Diellza Lipovica- Sa janë të shpeshta rastet kur kërkojnë antiobiotikë pa përshkrimin e mjekut?
Fatkeqësisht janë të shumta këto raste kur kërkojnë antibiotikë pa përshkrim të mjekut, edhe në rastet kur nuk dëshiron të iu ofrosh thonë “Ani se barnatore ka sa dush”.
4) Flutra Ajvazaj-Në cilat raste duhet të marrim antibiotik për mbytjen dhe për stopimin e baktereve? Edhe a ka mundësi që kur të stopojmë këtë bakterie të kthehet përsëri?
Antibiotikët bakteriostatik që I ndalin bakteret por nuk I mbysin ato mund të përdoren në fazën kur bakteret janë duke u zhvillu ndërsa nëse veç është krijua infeksioni duhet me përdorë antibiotikë baktericid që I mbyt bakteret.
Nëse e kemi përdor terapinë më rregull sic na është ordinu nga doktori është e parapamë që infeksioni është largu dhe mundësia për me u paraqitë përsëri është shumë e vogël. Nëse abuzojmë me antibiotikë ose nuk I marrim qysh I kemi të përshkruara mundësia për me u kthy infeksioni është me e madhe. Edhe kështu krijohet rezistenca sepse mbas një kohe këta antibiotikë nuk ndikojnë më për shkak se bacteria krijon imunitet ndaj saj…
Përndryshe, debati u moderua shkëlqyeshëm nga Diellza Sylaj-gjimnaziste të cilën e falënderojmë në emër të rotaraktorëve dhe rotarianëve të Gjilanit.
/autorja është pjesë e klubit të rotaraktorëve gjilanas në RTC “Anamorava”. Ky shkrim ëshët nxjerrë nga vrojtimi dhe përshtypja e saj mbi debatin në fjalë/
